E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veteranët nuk kanë ndërmend të ndalen

Nga Express më 14 qershor 2011 në ora 17:02

Rreth njëqind ish luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë hyrë në ditën e 23 të grevës duke kërkuar miratimin sa më të shpejtë të Ligjit për vlerat e luftës së UÇK-së. Derisa gjendje shëndetësore e veteranëve ditë pas dite po përkeqësohet, zyrtarët qeveritar dhe ata nga Kuvendi nuk kanë arritur t’i bindin ata që ta ndërpresin grevën.

Tani ka filluar java e katërt që kur disa veteranë të UÇK-së kanë vendosur tendat para objektit të Qeverisë së Kosovës dhe po kërkojnë që me ligj të bëhet njohja politike e luftës çlirimtare dhe vlerave të saj.

Në rrugën e tyre për të realizuar kërkesat grevistët nuk po i pengon as ngritja e madhe e temperatura, madje kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi tregoi se këtyre ditëve numri i grevistëve është rritur.

“Qysh nga dje është zgjeruar numri i grevistëve, presim edhe në ditët e ardhshme që të zgjerohet numri mirëpo për shkaqe shëndetësore katër nga grevistët i kemi larguar nga greva dhe sot janë në shtëpi, një është në gjendje më të rënd, një ish epror i UÇK-ës ka pësuar një sulm në zemër në orët e vona të natës së premte dhe e kemi largu. Kështu që ne jemi duke vazhduar grevën”, ka thënë ai.

Edhe pse të lodhur nga greva e gjatë, ish luftëtarët e lirisë ritheksojnë se janë të vendosur në kërkesat e tyre dhe nuk do të pranojnë asnjë lloj dokumenti që nuk e njeh të plotë luftën e UÇK-së dhe popullit për liri.

Deri më tani veteranët grevistë i ka vizituar kryetari dhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, disa prej deputetëve dhe shumë ish ushtarë të UÇK-së dhe qytetarë, por jo edhe kryeministri apo ndonjë zyrtar i lartë i Qeverisë së Kosovës. Veteranët e luftës, kanë hyrë në ditën e shtatëmbëdhjetë të grevës, me kërkesën e vetme, miratimin sa më të shpejtë të Ligjit për vlerat e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›