E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvaret nëna e 4 fëmijëve se e rrihte burri

Nga Gerti Xhaja
Vetevevaret 27 vjecarja. Keqtrajtimet sistematike përveçse e bënë viktimë gruan, hodhën në krahët e fatkeqësisë 4 fëmijët e vegjël 7-13 vjeç, të mbetur jetimë dhe pa asnjë të ardhur 

TIRANE -Fatkeqësi e dyfishtë ajo në familjen Hasa në Bathore. Prej dy ditësh mbahet zi për vetëvarjen e 27-vjeçares Elisabeta Hasa, por jo vetëm kaq. Zija ka hedhur rrënjë edhe pse është arrestuar bashkëshorti i saj, Besnik Hasa, me akuzën se e ka shtyrë të shoqen drejt vetëvarjes. Keqtrajtimet sistematike përveçse e bënë viktimë gruan, hodhën në krahët e fatkeqësisë 4 fëmijët e vegjël 7-13 vjeç, të mbetur jetimë dhe pa asnjë të ardhur. Fatjoni, është në klasë të katërt. Ai ndihmon gjyshërit dhe të afërmit e tjerë të çojnë karriget në oborrin e shtëpisë së xhaxhait, ku mbahet morti. As ai e as dy motrat e vëllai, nuk munden ta perceptojnë gjëmën që u ka ndodhur. Nuk mund ta kuptojë se mamaja nuk do t’i shtrojë më bukën dhe nuk do e përgatisë për të shkuar në shkollë. Edhe babait nuk do mundet t’ia dëgjojë zërin për disa kohë. Nuk e di as se kush do kujdeset për të.
Ashtu sikundër në mjaft raste të tjera, kur çiftet shqiptare kanë gjuhë të vetën dhunën, edhe në rastin e Elisabetës mosmarrëveshjet gjithmonë zgjidheshin me sherr dhe shpulla.
Katër muaj më parë, Elisabeta kishte denoncuar në Komisariatin numër 5 të Policisë së Tiranës se ndaj saj ushtrohej dhunë në mënyrë sistematike, duke kërkuar mbrojtje të menjëhershme. Por, ndërsa policia kishte nisur procedurat për marrjen në mbrojtje të 27-vjeçares, ajo vetë ka tërhequr denoncimin duke deklaruar se ishte pajtuar me të shoqin.
Ngjarja
Mbrëmjen e së dielës Elisabeta kishte bërë të gjitha punët. Kishte pastruar e larë shtëpinë. Kishte gatuar për të shoqin dhe fëmijët. Kishte larë dhe nxjerrë për të tharë të gjitha rrobat. I shoqi, që gjysmë i dehur i vinte vërdallë nëpër shtëpi, nuk kishte si ta dinte që kjo ishte hera e fundit që ajo i bënte ato punë. Edhe pse duhej të ishte e lodhur, në darkë gjumi nuk kishte marrë atë, por bashkëshortin. Ose të paktën kështu pretendon Besniku. Sipas policisë, ai ka deklaruar se nuk ka ndier asgjë në dhomë, ndonëse e shoqja ishte çuar nga krevati në mes të natës. Kishte marrë një shall të leshtë në dollap. E kishte lidhur në një ganxhë mbi dritaren nga brenda dhomës së gjymit. Me shallin kishte formuar një lak dhe me të kishte realizuar vetëvarjen. Besniku pretendon se është zgjuar rreth orës 2:00 pas mesnate duke gdhirë dita e hënë, dhe e ka gjetur të vetëvarur. Ai ka lajmëruar të vëllanë që jeton në banesën pranë dhe policinë për ngjarjen.
Policia
Nuk e kanë pasur të vështirë shërbimet e Komisariatit numër 5 të Policisë së Tiranës për të gjetur banesën e Besnik Hasës. I konsideruar si kontingjent për vjedhje, Besniku ishte shoqëruar disa herë në polici dhe i dënuar një herë më parë po për krimin e vjedhjes. Fillimisht nuk ka pranuar asgjë, por pas pyetjeve të shumta të oficerëve ka pohuar: “E kam rrahur Elisabetën se ajo më tradhtonte. Ikte nga shtëpia pa më pyetur. Më kish thënë se do vriste veten, por nuk e mendoja se do e bënte me të vërtetë”, -kështu mësohet të jetë shprehur në polici Besniku, dhe kaq ka mjaftuar që atij t’i hidheshin prangat për akuzën e “shtytjes në vetëvrasje”.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›