E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvarët njeriu që ndihmoi vrasësin e trefishtë

DEVOLL/ Ismet Musabej, 67 vjeç, është gjetur mëngjesin e së dielës i vetëvarur në vendin ku mbante bagëtitë

Burime nga policia shprehen se po hetojnë në dy pista: frikën nga ndëshkimi ligjor, si dhe depresioni

DEVOLL- Vetëvaret strehuesi i vetëm i Besim Karajt në fshatin e tragjedisë, ndërsa mbeten mister shkaqet. Fshati Vidohovë në rrethin e Devollit tronditet sërish nga një ngjarje e rëndë. Një 67-vjeçar, banor i këtij fshati, ka vendosur t'i japë fund jetës, ndërsa rreth dy javë më parë ka ndihmuar vrasësin e tre vëllezërve Mulliri duke i dhënë ushqim dhe veshje.

Ismet Musabej është gjetur mëngjesin e së dielës nga një bashkëfshatar i tij i vetëvarur në litar, në vendin ku mbante bagëtitë disa metra larg shtëpisë. Ai jetonte vetëm për arsye se prej disa ditësh bashkëshortja e tij nga veriu i vendit, ndodhej e shtruar në spital.

Pas krimit që goditi Vidohovën ku 40-vjeçari Karaj ka masakruar tre vëllezërit Mulliri: Xhiljan, Taulant dhe Etlevan si hakmarrje nga xhelozia, vrasësi ndalesën e tij të parë e ka bërë në shtëpinë e fqinjit Ismet Musabej.

Ai ka trokitur në shtëpinë e 67-vjeçarit, i cili e ka ndihmuar duke i dhënë ushqim, por dhe çizme për udhëtimin e gjatë që do të ndërmerrte Karaj për të mbërritur në vendlindjen e tij.
Pas krimit, policia lokale ka marrë në pyetje të vetëvarurin, i cili iu ka treguar bluve për ndihmën që i kishte dhënë fqinjit të tij. Rreth orës 8:00 të mëngjesit të së dielës, një bashkëfshatar i tij ka shkuar në shtëpinë e Musabejt duke zbuluar rastësisht se 67-vjeçari ishte vetëvarur.

Viktima nuk ka lënë asnjë shënim, ndërsa dyshohet që frika për mbështetjen që i ka dhënë një të akuzari për vrasje të trefishtë, ta ketë çuar drejt aktit vetëflijues.

Pas marrjes në pyetje nga ana e policisë për masakrën e Vidohovës, ku i vetëvaruri i kishte dhënë ndihmë të madhe autorit të saj vetëm disa momente pas krimit, mësohet se banori i fshatit kufitar ka qenë i tronditur, ndërkohë që kishte filluar të mos komunikonte më si më parë me bashkëfshatarët e tij. Dyshohet që e gjithë kjo ta ketë çuar atë drejt këtij vendimit ekstrem.

Grupi hetimor që ka shkuar në vendin e ngjarjes, ka dy pista për këtë vetëvarje me litar. Atë të frikës nga ndonjë ndëshkim ligjor që mund të binte ndaj tij për ndihmën që i kishte dhënë Besim Karajt, por edhe të një gjendjeje depresive të tij për shkak të kësaj situate. Policia ka tërhequr trupin e pajetë të të moshuarit drejt spitalit të Korçës, ku do t'i nënshtrohet autopsisë mjeko-ligjore.

Në trupin e të vetëvarurit nuk janë gjetur shenja dhune, ndërkohë që ai mbetet një nga njerëzit e vetëm që komunikoi me Besim Karajin duke i ofruar ndihmë të vlefshme fill pas vrasjes. Policia ka marrë në pyetje dhe disa persona të afërm të viktimës, ndërkohë që ka dhënë dëshminë e tij dhe bashkëfshatari që zbuloi rastësisht kufomën.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›