Tritoli në makinë, këshilltari: Nuk kam hasmëri me askënd
SHPËRTHIMI/ Morand Hoxhaj, i cili ruhet nga uniformat blu 24 orë, është marrë në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore
Këshilltari socialist 43-vjeçar ka dalë nga gjendja e rrezikut, por ka probleme me shikimin dhe dëgjimin
VLORË - Nuk ka ende asnjë pistë lidhur me tentativën për vrasjen e këshilltarit bashkiak të Vlorës, Morand Hoxhaj. Ndërkohë, 43-vjeçari e ka kaluar fazën e rrezikut për jetën, por vazhdon të qëndrojë në spital, ku dhe është marrë në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore, si dhe nga vetë drejtori i policisë së qytetit bregdetar.
Ata kanë qenë dhe të vetmit persona me të cilët është lejuar të flasë këshilltari, teksa ka pohuar se nuk ka konflikt me asnjë person, pohim i bërë dhe nga të afërm të tij.
Morand Hoxhaj vijoi të dielën të ishte nën mbikëqyrjen e bluzave të bardha, por edhe të uniformave blu në repartin e reanimacionit në spitalin e Vlorës. Nga shpërthimi me tritol i automjetit të tij ai ka marrë plagë kryesisht në fytyrë, por dhe çarje dhe djegie në trup, të cilat gjithsesi nuk e rrezikojnë jetën e tij.
Oficerë të policisë gjyqësore, pas miratimit të mjekëve, e kanë marrë në pyetje 43-vjeçarin lidhur me atë se ç'ndodhi mbrëmjen e së shtunës, ku makina e tij shpërtheu.
Mësohet se këshilltari socialist në këshillin bashkiak të Vlorës ka pohuar se mban mend shumë pak lidhur me ngjarjen, teksa mjekët pohojnë se ka dëmtim të shikimit dhe të dëgjimit si pasojë e shpërthimit. E vetmja gjë që është deklaruar nga vetë Hoxhaj është se ai nuk ka konflikt apo hasmëri me ndonjë person.
Pavarësisht kësaj, ai mbahet nën mbikëqyrje 24 orë në 24 nga ana e policisë, duke mos iu lejuar asnjë lloj kontakti nga frika se autorët mund të afrohen për të përfunduar atë çka kishin nisur.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se një sasi tritoli është vendosur poshtë sediljes së automjetit tip "Benz 240", ngjyrë e bardhë në pronësi të Morand Hoxhajt.
Fakti që 43-vjeçari ka qenë përballë me derën kanë bërë që edhe të mbrohej nga kjo e fundit në momentin e shpërthimit të sasisë së tritolit.
Ekspertët e mbërritur nga kryeqyteti shprehen se sasia e lëndës shpërthyese ka qenë shumë e madhe dhe për mos t'i dhënë mundësi shpëtimi këshilltarit. Ai është gjetur nga persona të lagjes pak metra pranë makinës së vet, ndërsa dëshmitarët shprehen se në momentin që e kanë marrë për ta çuar në spital, Hoxhaj ishte në gjendje të tillë që nuk njihej.
43-vjeçari ka bërë shenjë për të kërkuar ndihmë, teksa më pas edhe policë rrugorë që ndodheshin pranë kryqëzimit janë afruar për të dhënë ndihmën e tyre. Mësohet se shpërthimi ishte shumë i fuqishëm, ndërsa automjeti është kthyer thjesht në një grumbull hekurash, teksa pjesë të tij janë shpërndarë edhe në zonën përreth.
Gjatë ditës së diel automjeti nuk kishte lëvizur ende nga vend ii ngjarjes ndërsa ekspertët po mbikëqyrnin zonën përreth.
Pavarësisht dëshmive të marra, ende nuk bëhet e ditur ndonjë pistë në të cilën janë përqendruar hetimet.
Nga ana e bluve deklarohet se nuk përjashtohet asgjë, përfshirë këtu edhe ndonjë larje hesapesh, pikërisht për mënyrën se si është tentuar të ekzekutohet 43-vjeçari.
Morand Hoxhaj u prangos në prill të vitit të kaluar, ndërsa ndaj tij u ngrit akuza e "armëmbajtjes pa leje".
Por vetëm pak kohë më pas ai u lirua, ndërsa akuzat ndaj tij ranë. Nuk dihet nëse çështja e armës ka ndonjë lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së shtunës, ku automjeti i Morand Hoxhajt shpërtheu pasi një sasi tritoli ishte vënë nën të. 43-vjeçari u dërgua në gjendje të rëndë në spitalin e Vlorës.