23-vjeçarja niset nga Italia, prindërit deklarojnë mosmbërritjen.

Amantia A. mësohet se është zhdukur rreth dy javë më parë, ndërsa po hetohet nëse ka hipur në traget apo jo
VLORË - Zhdukja e një 23-vjeçareje është bërë së fundmi objekt hetimi nga ana e organeve policore të Vlorës. Gjithçka ka nisur pas një denoncimi të mbërritur në polici nga i ati i vajzës, i cili i shqetësuar për mosmbërritjen e së bijës pranë familjes, ka parë si të vetmen rrugë ndihmën pranë organeve të policisë.
Ngjarja ka ndodhur rreth dy javë më parë. Siç bëjnë me dije burime nga pika e kalimit kufitar në portin e Vlorës, 23-vjeçarja Amantia A. mendohet të jetë nisur nga porti i Brindizit drejt Vlorës. Pas një qëndrimi disajavor në Itali, vajza është përcjellë nga të afërm të saj.
Por ajo që ka mbetur enigmë ka qenë mosmbërritja e 23-vjeçares në pikën e kalimit kufitar të Vlorës.
Zhdukja e beftë ka alarmuar familjarët, të cilët i janë drejtuar segmenteve të policisë. Sipas denoncimit, vajza pritej të zbriste nga trageti.
Familjarët janë shprehur të sigurtë se vajza ka hipur në traget, ndërkohë që do të jetë kjo e fundit ndër objektet e hetimit nga ana e policisë. Burimet pohojnë se është kontaktuar menjëherë me segmente të tjera të Interpolit, për të marrë konfirmimin zyrtar nëse vajza ka hipur në traget apo jo.
Pistat nuk kanë përjashtuar një largim të vajzës me vullnetin e vet, çka nënkupton që ajo të mos ketë hipur në traget, si dhe rastin më të keq, i cili do të duhet të hetohet plotësisht. Humbja e kontakteve me vajzën ka vijuar të mbajë familjarët nën tension, ndërkohë që pritet nga policia të zbardhë tërësisht ngjarjen. A.Peçi