Vetëvaret prej divorcit të prindërve

KURBIN - Nëse motrës së Valter Vocit nuk do t’i kishte rënë të fikët, pasi pa të vëllanë të varur me çarçaf në traun e dhomës, 15-vjeçari, nxënës i vitit të parë në shkollën e mesme “At Shtjefën Gjegjovi” në Laç mund të ishte ende gjallë tani. Voci u gjet i vetëvarur në dhomën e tij të gjumit, ndërsa mësohet se shkaku ishte divorci i prindërve të tij dy muaj më parë. Djali, i cili ishte natyrë tepër e ndjeshme, kishte shprehur dëshirën të jetonte me të atin në Tiranë, por e ëma nuk e kishte lejuar. Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen nr. 6 të qytetit të Laçit. Voci u kthye nga mësimi, hyri në dhomën e tij të gjumit dhe zbatoi me përpikëri vendimin që kishte marrë. Sipas policisë së Kurbinit, mësohet se adoleshente mori një çarçaf, të cilin e lidhi në traun e banesës së tij në katin e tretë të një ndërtese, duke i dhënë fund jetës së tij në mënyrë tragjike. E para që e gjeti atë të varur ishte motra e tij, e cila nisi të kërkojë ndihmë duke ulëritur me të madhe. Në momentin që ajo doli tek dera e oborrit, i ra të fikët, ndërsa kalimtarët e rastësishëm i dhanë asaj ndihmën e parë, duke e ndihmuar që ajo të vinte në vete. Fatkeqësisht, koha gjatë së cilës vajza humbi ndjenjat dhe u përmend sërish, duket se ishte e mjaftueshme që i vëllait t’i humbte krejtësisht shpresat për jetën. Në momentin që vajza u përmend, u tha personave të pranishëm që sapo kishte parë vëllanë të varur me çarçaf në traun e ndërtesës, në dhomën e tij të gjumit. “U mundova ta ngre, por nuk munda”, tregoi ajo. Menjëherë, banorët që dëgjuan fjalët e saj rendën me shpejtësi në dhomën e gjumit të djalit për ta shpëtuar, por ai kishte ndërruar jetë ndërkaq. Të njëjtat burime sqarojnë se trupi i Valterit në momentet që u gjet nga këta persona, ishte ende i ngrohtë, që sipas të gjitha gjasave ai kishte vetëm pak minuta që kishte vdekur. Sipas të dhënave paraprake të policisë, dyshohet se shkak i vetëvarjes së 15-vjeçarit ishte bërë ndarja e nënës së tij me të atin dy muaj më parë, ndonëse kjo ndarje nuk ishte zyrtarizuar ende në gjykatë. I ati i Valterit jetonte në Tiranë, ku 15-vjeçari kishte dëshirë të bashkohej me të, por kjo iniciativë i është refuzuar nga e ëma. Kjo dyshohet të ketë qenë ekzaktësisht arsyeja e vdekjes, pasi viktima nuk ka thënë asgjë me gojën e tij e as nuk ka lënë ndonjë shënim para aktit vetëvrasës.