Prangoset përgjuesi

ELBASAN - Shefi i Seksionit të Pastrimit të Parave në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Elbasan, kryeinspektor Gavrosh Sejdini, u arrestua dje, pasi akuzohet për abuzime dhe shpërdorim të detyrës. Sipas të dhënave të policisë dhe burimeve nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, 53-vjeçari në karrierë akuzohet për shpërdorim detyre dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, gjatë kohës që ai ishte shef i Sektorit të Gjurmimeve në Policinë e Elbasanit, në vitin 2006. Konkretisht, Sejdini dyshohet se ka favorizuar një person, duke fshehur provat që implikonin atë në një grabitje me armë të një automjeti. Prej kohësh, 53-vjeçari ishte nën survejim nga strukturat e SHKB-së dhe organet e specializuara, pa i rënë asgjë askujt në sy. Madje, Sejdini është emëruar edhe në pozicione tepër delikate të Policisë së Shtetit, siç janë sektori i përgjimeve dhe ai i pastrimit të parave. Por në vend që të përgjonte, shefin e kanë përgjuar. Drejtoria e Policisë së Elbasanit njoftoi dje se është dokumentuar me prova vepra penale, për të cilën Sejdini akuzohet. Arrestimi i tij u krye sipas vendimit nr. 185, datë 24.4.2008 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, e cila kishte kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg” për personin në hetim, Gavrosh Sejdinin. Ndaj tij është ngritur akuza për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, si dhe për “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal. Nga ana e strukturave të SHKB-së të Drejtorisë së Policisë së Qarkut dhe Prokurorisë së Rrethit Elbasan po punohet për hetimin e plotë të veprimtarisë antiligjore të kryer nga Gavrosh Sejdini, i cili ka shërbyer në komisariate të ndryshme të vendit. Në vitin 2003 ai ka qenë nëndrejtor në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Elbasan.