E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvarja në qeli, paditet në prokurori gruaja e viktimës

Gruaja e të vetëvarurit në qeli, Enver Memetali paditet në Prokurorinë e Korçës për shtyrje drejt vetëflijimit. 

KORÇE/ JORGJETA GJANÇI

 Padinë e kanë regjistruar familjarët e 46-vjeçarit, pasi kanë mësuar detaje mbi dëshminë e fundit të tij. "E shoqja i tha se djalin 10-vjeçar e kishte me njeri tjetër dhe se dajo do të kalbej në burg pas akuzës së sajuar për përdhunimin e të miturës", pohon nipi i Memetalit, Redi Koro. Ai tregon historinë e jetës së dajës së tij, që nga momenti i martesës me gruan 10 vjet më të madhe, e deri pak ditë para vetëvarjes në qelinë e paraburgimit në Korçë.
E dinit ngjarjen se përse akuzohej daja juaj?
E kam mësuar disa ditë pasi e arrestuan. Vëllai i Bajames, gruas së tij, e kishte akuzuar se kishte kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të bijën 14-vjeçare. Po unë këtë gjë asnjëherë nuk e kam besuar, sepse daja im ishte njeri i rregullt, i ndershëm dhe me sedër. Ne kishim prova të mjaftueshme për ta vërtetuar se nuk ishte kryer përdhunimi, por nuk na la e shoqja t'i paraqisnim në prokurori. Martesa e tyre ishte e bazuar në gënjeshtra, atësia e djalit ishte e dyshimtë dhe Enveri kishte deklaruar nga qelia se, sa të dilte nga burgu do të bënte analizat e të birit për të vërtetuar nëse ishte i tiji apo jo. Nga frika e diskreditimit Bajamja i bëri presion psikologjik e moral duke e shtyrë në vetëvarje.
Bajamja nuk pranon që ta ketë takuar ditët e fundit Enverin.
Në librin e takimeve policia e ka të regjistruar se ajo është takuar me Enverin një ditë më parë. Sipas një personi që ai i është hapur dhe që ndodhet brenda qelive, burrë e grua kanë biseduar për atësinë e djalit. Atë që flitej lart e poshtë se Bajamja djalin e tyre 10-vjeçar, Romeon, nuk e kishte me Enverin, por me një të afërmin e saj. Në atë takim ia ka pohuar edhe vetë Bajamja. "Zëre se nuk është djali yt, por i X-it. Ti që nga qelia nuk ke ç'më bën, unë do të shes shtëpinë e dyqanin dhe do të iki, ndërsa ti me akuzën që ke do të dënohesh shumë dhe do të vdesësh në burg", mësohet t'i ketë thënë të shoqit. Kjo ishte për Enverin një gjë e papritur, që e lëndoi aq shumë saqë vendosi t'i japë fund jetës së tij.
Avokati i Enverit ka deklaruar se Bajamja luftoi ta nxirrte burrin e saj nga burgu, fakt që dëshmon për të kundërtën e kësaj që deklaroni ju.
Në fillim Bajamja i ka dalë krah Enverit, nuk e pranoi akuzën e të vëllait, Agimit,. Ajo kërkoi që vajza t'i nënshtrohej ekspertizës mjeko-ligjore për të vërtetuar nëse me të ishte abuzuar. Agimi dhe e bija nuk e pranuan këtë gjë nga frika se mos i dilte nami i keq vajzës, por u kërkuan dëmshpërblim, duke ia vënë syrin dyqanit. Kur nuk ia arritën, Agimi shtyu të shoqen e të bijën që ta padisnin Enverin për përdhunim të së miturës. Më 23 prill u arrestua. Muajin e parë Bajamja luftoi shumë për ta liruar të shoqin, më pas hoqi dorë dhe filloi të lëvizte gjithë gurët që të shiste shtëpinë bashkëshortore e dyqanin për t'u larguar në Tiranë së bashku me të birin.
Pse ndodhi ky ndryshim?
Me sa duket ajo nuk i bënte dot ballë presionit të Agimit, që duke e kërcënuar se do t'i thoshte Enverit se Romeo nuk ishte i biri, kërkonte t'i merrte dyqanin. Në këto rrethana Bajamja ka menduar: Enveri më mirë të mbetet në burg sesa të dalë, unë marr ç'të mund e iki larg Agimit, por me para.
Sipas policisë, gjatë qëndrimit në qeli Enverin nuk e takonte njeri. Si është e vërteta?
Kur u arrestua Enveri Bajamja na tha se shumë shpejt ajo do ta lironte. Kur mësuam se ajo nuk i shkonte më dhe se kishte tërhequr edhe avokatin e takuam Enverin në burg. Gjatë dy muajve të fundit e kam takuar 3 herë. Daja më tha se ishte i pafajshëm dhe se e futën në kurth për t'i grabitur dyqanin. "Më ndihmoni të dal nga burgu dhe mandej shumë probleme të jetës sime do t'i rizgjidh", më tha në takimin e fundit. Në fillim ishte depresiv, por kur unë i thashë se do të bënim gjithçka që të fitonte të drejtën e tij, e mori veten. Kjo gjë nuk i pëlqeu Bajames, e cila pas tre muaj mungese shkoi e takoi e i bëri presionin e saj fatal.
Si ka ecur martesa mes tyre?
Martesën e Enverit me Bajamen, me moshë 10 vjet më të madhe dhe rome, motrat e vëllezërit e tij 25 vjet më parë nuk e pritën mirë, por asnjëherë nuk ndërhynë në marrëdhëniet e tyre. Dëshpëroheshin kur dëgjonin se kishin konflikte të shumta mes tyre. Në 15 vjetët e parë të martesës nuk lindën fëmijë dhe dyshonin se Enveri nuk lindte për shkak të një sëmundjeje që kishte kaluar në fëmijëri. Papritur në moshën 45-vjeçare Bajamja mbeti shtatzënë e lindi Romeon. Dyshimi nuk u diskutua më, djali u pranua si bir i Enverit.
Denoncimi juaj është një aktakuzë për Bajamen?
Ne që sot këtë akuzë e ngritëm në Prokurorinë e Korçës dhe do të këmbëngulim që të çohet sa më parë në gjykatë. E akuzojmë se me presionin e saj psikologjik e moral, e shtyu ne vetëvarje dajën. Ajo duhet të përgjigjet para ligjit.

Në ceremoninë e varrimit dhe gruaja
Dy motrat dhe dy vëllezërit e Enver Memetaliut, së bashku me të afërm e miq të tyre dje në orën 15:00 kanë marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të 46-vjeçarit që u vetëvar të dielën në qelitë e paraburgimit në Korçë. Gjithë vizitat u pritën në shtëpinë e Enverit dhe të pranishëm kanë qenë edhe Bajamja me fisin e saj. I vetmi njeri që mungonte ishte djali 10-vjeçar i tyre, Romeo, i cili prej dy muajsh jeton në Tiranë. "Le ta zbulojë drejtësia të vërtetën ndaj akuzës që bëhet", është shprehur nën zë gruaja e viktimës. Të pranishëm në shtëpi e varrim kanë qenë edhe shumë policë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›