E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrau rojen,dorëzohet autori pas 18 orësh

 

MIRDITE - Vetëdorëzohet i penduar 18 orë pas krimit, Gjin Lleshi, personi që qëlloi për vdekje pasditen e së dielës mbi rojën e ish-SMT-së në Rrëshen. Burime zyrtare të policisë së Mirditës bënë të ditur dje se, Gjin Lleshi është vetëdorëzuar rreth orës 10:00 të së hënës në afërsi të fshatit Tarazh. Të njëjtat burime pohuan se vetëdorëzimi i të akuzuarit për vrasjen e Gjergj Ndrecës erdhi pas disa orëve negociatash mes drejtuesve të policisë së Mirditës, Lleshit dhe të afërmve të tij me anë të telefonit celular, që ai kishte me vete gjatë orëve të arratisë.
Mësohet se paraditen e djeshme Lleshi, i bindur për t'u vetëdorëzuar, ka kërkuar që një automjet i policisë të shkonte e ta merrte atë në fshatin Tarazh. Menjëherë nga blutë e Mirditës është dërguar një automjet, i cili ka qëndruar në vendin e quajtur "Ura e Tarazhit". Në këto momente nga kodra e mbuluar me shkurre në anë të rrugës është shfaqur i vetëm Gjin Lleshi, të cilit i janë vënë prangat. Sipas policisë, ai u ka dorëzuar policëve armën e krimit dhe ka pranuar autorësinë duke theksuar se, gjithçka kishte ndodhur nga gjaknxehtësia dhe se ishte penduar për atë çka ndodhi. Përpara efektivëve Lleshi është munduar të mbrohet, duke thënë se pas acarimit me viktimën dhe shkëmbimit të fjalëve fyese me njëri-tjetrin ai i druhej ndonjë sulmi me armë nga ana e Ndrecës. "Gjergj Ndreca më paralajmëroi se do të hynte brenda në banesë e më pas do më vriste", është shprehur ai. Gjergj Ndreca u vra pasditen e së dielës, nga ana e Lleshit, pasi nuk e lejoi atë të kalonte automjetin e tij në rrugën, që kalonte përmes një pronë private.                                        r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›