E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvendosim shpejt

Pesë vjet aktivitete, protesta dhe ‘aksione’ kundër udhëheqësve të pushtetit vendor dhe ndërkombëtar, Lëvizja Vetëvendosje mund t’i kurorëzojë me vendimin për t’u bërë pjesë e spektrit politik.

Debate që kjo Lëvizje i ka filluar për rrugën që duhet të ndjekë në vazhdim, pritet të përfundojnë shumë shpejt. Ky premtim vjen nga njëri prej udhëheqësve të Lëvizjes Vetëvendosjes, Glauk Konjufca.

“Jemi në fazën e përmbyllëse të debatit. Nuk mund t’ju tregoj se çfarë vendimi do të marrim për shkak se debati ende nuk ka përfunduar”, ka thënë Konjufca për Express.

Konjufca e ka lënë mundësinë që qëndrimi i Albin Kurtit të publikohet pas ditëlindjes së pestë të Vetëvendosjes që kremtohet të dielën.

“Së shpejti do të dalë komunikimi i rezultatit të debatit dhe ditëve të ardhshme do të komunikohet rezultati. Pas kësaj, gjithçka do të dihet si nga qytetarët, ashtu edhe nga mediat”, ka sqaruar Konjufca.

Ky zyrtar i Vetëvendosjes nuk e ka mohuar mundësinë që pas përfundimit të debatit, Lëvizja Vetëvendosje të garojë si parti politike dhe të ketë në program anulimin e Planit të Ahtissarit.

“Qytetarët vazhdimisht po kërkojmë që Albin Kurti të hyjë në politike. Por, nuk zgjidhen problemet me hyrjen e Vetëvendosjes në politike”, ka pranuar ai.

Sipas tij, problemet në Kosovë tejkalohen me vetëdijesimin e qytetarëve për të kërkuar llogari nga njerëzit e pushtetit dhe anulimin e Pakos së Ahtissarit.

Megjithëkëtë, vlerësimet e Lëvizjes Vetëvendosje për partitë politike vazhdojnë të jenë të zeza. Kjo lëvizje mendon se udhëheqësit e partive të mëdha politike janë të korruptuar dhe nuk mund ta dërgojnë vendin përpara.

“LDK’së, PDK’së, AAK’së, e them me plot gojën se nuk u interesojnë problemet e qytetarëve. Këtyre partive u interesojnë vetëm interesat e një klike të ngushtë të njerëzve partiakë, që më së shumti janë 100 deri 200”, ka thënë aktivisti i Vetëvendosjes.

Veç kësaj, Vetëvendosja thotë se deri tash të gjitha partitë politike në Kosovë konkurrojnë për të kërkuar votën duke u zotuar se do ta implementojnë Planin e Ahtissarit, të cilin Albin Kurti vazhdimisht e ka kundërshtuar.

“Të gjitha këto parti që po hyjnë për të konkurruar në politikë, e kanë zbatimin e Planit të Ahtissarit, i cili është i dëmshëm për Kosovën. Partitë politike duhet të kenë në programet e tyre anulimin e Pakos së Ahtissarit”, ka shtuar Konjufca.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›