“Vetëvendosje”: Arrestimet, në shërbim të negociatave me Serbinë

Lëvizja “Vetëvendosje”, ka reaguar sot lidhur me arrestimet e djeshme nga EULEX-i. Në një deklaratë për shtyp “Vetëvendosje” ka theksuar se “në kohën kur Kosova po lëngon nga korrupsioni i zyrtarëve të lartë... EULEX-i zgjodhi persekutimin e UÇK së”.
“Populli i Kosovës gjatë vitit 2010 pa vetëm bastisje spektakolare ministrish e vilash të shtrenjta, si dhe premtime për arrestime “peshqish të mëdhenj”, por ajo që po shohim sot janë politikanët e korruptuar që po i binden negociatave me Serbinë të sponsorizuara nga OKB- ja e të ndërmjetësuara nga BE-ja”, theksohet në deklaratën e “Vetëvendosjes”.
Sipas kësaj lëvizjeje, “është BE-ja ajo që qeveris me Kosovën dhe që i bastis këta politikanë pa ndonjë drejtësi pasuese, të cilët përfundojnë në negociata me Serbinë e cila i nevojitet BE së”.
Ndërkaq për veprimet e EULEX-it, Vetëvendosje ka deklaruar se ky është një shërbim i radhës për Serbinë në negociata dhe se nëpërmjet kësaj strategjie EULEX po mundohet të diskreditojë Kosovën si dhe t`i japë përparësi morale Serbisë.
“Po ashtu është e papranueshme akuza dhe fushata e EULEX-it kundër UÇK-së. EULEX i nuk duhet të ketë të drejtë të merret madje as me rastet e korrupsionit: politikanët e korruptuar duhet të hetohen dhe arrestohen nga institucionet e pavarura të drejtësisë së Republikës së Kosovës” thuhet në deklaratë.