E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetëvendosje apo vetëvrasje e Kosovës???

Kosovarët kanë të drejtë të vendosin vetë për të ardhmen e tyre. Kjo është mëse e qartë dhe nuk kërkon diskutime. Gjithësesi, duhet thënë se në kohën që jetojmë, e në rajonin që gjëllojmë, askush nuk mund të vendosë “më kokë të vet”, as edhe ato shtete sovrane që e kanë “ulësen” e tyre në OKB! Personalisht kam ushqyer respekt për Albin Kurtin, dhe çdo kosovar që ka punuar e dredhur djersë, është persekutuar e syrgjynosur për Kosovën. Por kur dy kosovarë, japin shpirt në një spital të Prishtinës, kësaj here jo nga bajonetat apo plumbat serbë, por nga papërgjegjshmëria e një mitingu të dhunshëm, respekti për Kurtin zbret në nivele minus. Gjaknxehtësia ballkaniko-shqiptare, na ka shtyrë të bëjmë çudira dhe idiotësi marramendëse, dhe tashmë imazhi ynë në botë dihet e njihet nga të gjithë. Albin Kurti dhe djelmoshat e tij, kanë të drejtë të protestojnë, demokratikisht e paqësisht, por jo të çojnë në vetëvrasje këtë grup të rinjsh, jo të çojnë në harakiri shtetin e Kosovës që pritet të njihet ndërkombëtarisht.

Të gjithë qahen nga politikanët, në Prishtinë, Shkup, Tiranë, Beograd, Athinë, Romë e kudo tjetër. Në asnjë vend qytetarët nuk janë 100 përqind të kënaqur nga politikanët e tyre, po kjo nuk do të thotë që “të marrim armët e të dalim malit…”! Kjo nuk do të thotë të kopjojmë revolucionet ngjyra ngjyra të ish republikave sovjetike, e të hyjmë në ndërtesa qeverish e parlamentesh, kjo është absurde, e aq më tepër e papranueshme për periudhën që po jetohet në Kosovë. Besoj se gjithë shqiptarët do ishin dakord, që Albin Kurti dhe lëvizja e tij, të protestonin paqësisht para institucioneve, të ngrinin çadrat, të rrinin aty, dhe në vend të gurëve, shkopinjve, tullave etj të vendosnin lule, vetëm lule që nga dera e UNMIK-ut e deri te dera e Çekut e Sejdiut. Reagimi i dhunshëm i djelmoshave që duan të vendosin vetë, më tremb mua si shqiptar e shumë të tjerë! Mendoni sa i tremb ai serbët pakicë, që jetojnë në Kosovë, dhe mendoni sesa shumë i tremb ndërkombëtarët që me gjysmë zemre po lejojnë një gjysmë pavarësi!!!

Nuk ka si të mos pikëllohesh kur merr vesh se në kohë paqeje njerëzit vdesin dhunshëm në Kosovë. Nuk ka si të mos irritohesh kur njerëzit çohen si cjapi te kasapi në mes të ditës, PER NJE KAUZE TE DREJTE, por të argumentuar e të influencuar gabimisht! Kjo dëmton kauzën, dëmton Kosovën, dëmton njëherë e mirë imazhin e Albin Kurtit, që nga heroi ynë i tretur në burgjet serbe, bëhet i forti i lagjes që do të hyjë me forcë në një ndeshje futbolli! Nuk ka nevojë të jesh me Sejdiun, Çekun, Thaçin, Haradinajn a Surroin të jesh kundër Kurtit! Deri dje unë dhe besoj shumë shqiptarë që e kanë ndjekur Kosovën të paktën që nga lufta e deri më sot, e kemi përshëndetur atë që ka bërë Kurti, atë që ka synuar Kurti, atë që ka promovuar sëbashku me fuqinë rinore të një organizate jo qeveritare dhe jo fitimprurëse që kishte rreth vetes.
Por që sot e tutje, do të ishte gabimi më i madh që të mendonim se duke kërkuar me kokëfortësinë karakteristike shqiptare të vetëvendosim gjithçka, qoftë edhe të hyjmë dhunshëm në Qeveri, Kuvend etj do të zgjidhnim hallet tona. Çështja e Kosovës nuk zgjidhet duke u rrahur me ndërkombëtarët, të cilët duam a s`duam ne, janë garantët e shtetit të ri kosovar, e as duke u thënë atyre IK, ndërkohë që atë kërkon edhe Beogradi. Këto veprime çojnë ujë vetëm në mullirin e politikës serbe.

Kosovarët, duhet të qetësohen nëse duan ta bëjnë shtetin e tyre. Duhet të dinë se ata kanë fjalën e tyre në vendosjen e statusit përfundimtar, por duhet të kuptojnë që asnjëherë dhe në asnjë vend, askush nuk është lënë të bëjë sipas qejfit të tij. Dhe mbi të gjithë, këtë e di Albin Kurti e gjithë liderët kosovarë, që ndoshta vuajnë nga pak (shumë në fakt) për të hyrë në histori e për tu quajtur “heroi që solli Pavarësinë”. Por pavarësia nuk gjendet në mesin e tyre, por vjen nga bregu tjetër i Atlantikut…

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›