Thaçi sqaron takimet me Tadiqin
“Me Boris Tadiqin jam takuar në Vjenë jo një herë, por 3-4 herë kemi drekuar dhe darkuar së bashku, kam qenë si pjesëtarë i delegacionit të Kosovës, në këtë delegacion kam qenë si i katërti, të tjerët kanë qenë afër Boris Tadiqit por nuk i akuzo”, ka thënë sonte, kryeministri Thaçi në rubrikën “Rubikon” për KTV.
“Në konferencat ndërkombëtarë kur të marrësh pjesë, kushdo që të jetë duhet të sillet si burrështetas. I vetmi ish kryeministri serb, Vojsllav Koshtunica është ai që i ka braktisur drekën e darkën e përbashkët me delegacionin e Kosovës, ku ka qenë edhe kryetari i Serbisë, Boris Tadiq dhe përfaqësuesve ndërkombëtar, nga SHBA dhe Bashkimi Evropian. Pra me Tadiqin jemi takuar në Vjenë konkretisht në Baden”, ka thënë Thaçi.
Në pyetjen më konkretë për takimin e tij si kryeministër i Kosovës me presidentin serb, Boris Tadiq në New York e Greqi, për çka edhe ka kërkuar sqarime lideri i Lëvizjes Vetvendosje Albin Kurti, Kryeministri Thaçi ka pranuar faktin se edhe këto takime kanë ndodhur.
“Ne kemi marr pjesë në shumë konferenca rajonale që janë mbajt për Kosovën. Me Tadiqin jam takuar edhe në New York, në Këshillin e Sigurimit, jemi përshëndetur krejt njerëzisht, unë si kryeministër, ai si president. Ai ka mbajt qëndrimin e vetë unë timin.
Jam takuar edhe në Greqi në pritjen e ish-presidentit të atëhershëm të Greqisë, ku kanë qenë prezent edhe shumë kryeministra e president nga vende të ndryshme. Madje jemi takuar edhe në Sofje dhe Londër në konferenca ndërkombëtare, ku jemi përshëndetur", ka thënë Thaçi.
Të gjitha këto takime, sipas kryeministrit Thaçi, kanë qenë publike dhe janë përcjellë nga gazetarë të mediave më të fuqishme botërore, si CNN e Reuters dhe këtu nuk ka asgjë për tu fshehur.
Kryeministri ishte decidiv se krahas kërkesës së Serbisë, për Rezolutën 1244 të cilën e ka pranuar kryeministri, do të jenë edhe mendimi i GJND-ës për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës dhe Deklarata e Pavarësisë së Kosovës. “Nëse nuk pranohen edhe këto fusnota”, ishte kategorik kryeministri Hashim Thaçi, “atëherë nuk do të ketë marrëveshje me Serbinë”.
Kreu i Qeverisë së vendit në emisionin “Rubikon” ka theksuar se çdo kush ka të drejtë të kritikojë situatën në Kosovë dhe në këtë plan i ka dhënë të drejtë edhe Murat Jasharit i cili kohë më parë kishte theksuar se “kjo nuk është Kosova për të cilën është sakrifikuar” duke shtuar se kulla e Jasharajve është e mbyllur për Hashim Thaçin dhe për Sami Lushtakun. Thaçi ka thënë se është rritur me familjen Jasharaj dhe se ka shkuar dhe do të shkojë në Kullën Jasharajve në Prekaz.
Kryeministri Thaçi, ka deklaruar se ish-shefi i SHIK-ut, Kadri Veseli, është një personalitetet që ka kontribuuar në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës, dhe është i mirëseardhur që të hyjë në partin e tij, Partinë Demokratike të Kosovës.