Infarkti, 47-vjeçari mbytet në det
KAVAJE - Një 47-vjeçar nga Kavaja ka gjetur vdekjen në Plazhin e Gjeneralit, nga një infarkt i shkaktuar në momentin që është futur për t’u larë. Artur Nushi, ka qenë në plazh bashkë më familjen e tij dhe pasi ka qëndruar disa orë duke marrë rreze në çadrën e tij, është futur për t’u larë, por nuk ka dalë më nga uji. Burime nga Komisariati i Policisë së Kavajës thanë se janë njoftuar për ngjarjen gjatë orëve të pasdites dhe kanë shkuar menjëherë në bregdet për të mësuar më shumë se çfarë kishte ndodhur. Familjarët e 47-vjeçarit Nushi kanë treguar se i afërmi i tyre nuk kishte asnjë shqetësim, por kishte qëndruar disa orë në diell dhe është futur menjëherë në det. Por teksa kanë vënë re që ai po vonohej për të dalë nga uji, janë futur për ta kërkuar dhe e kanë gjetur në sipërfaqe pa shenja jete. Fillimisht kanë menduar se ishte në gjendje të fikëti, por më pas kanë mësuar se zemra e tij nuk rrihte më. Sipas burimeve nga policia mësohet se vdekja e Artan Nushit ka ardhur si pasojë e një infarkti të papritur brenda në ujë. Ai kishte hyrë menjëherë në det pasi si pasojë e qëndrimit për orë të tëra në diell trupi i kishte arritur një temperaturë të lartë.