E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetëvendosje mbështet nismën për festimin e çlirimit të Shkupit më 1912

Prishtinë, 11 gusht -  Lëvizja VETëVENDOSJE!, nëpërmjet një komunikate ka mbështetur  nismën e Bashkimit Demokratik Kombëtar për shënimin e 98 vjetorit
të çlirimit të Shkupit nga kryengritësit shqiptarë më 1912.
Në komunikatë thuhet se “më 12 gusht 1912 mijëra kryengritës shqiptarë të armatosur, të udhëhequr nga Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini, Idriz Seferi, Ali Shkupi, Mehmet Tetova e shumë atdhetarë tjerë të shquar, përmbyllën çlirimin e vilajetit të Kosovës  nga pushtimi osman, pasi morën nën kontroll Gjilanin, Preshevën, Bujanocin, Tetovën, Gostivarin, Kërçovën, Kumanovën, si dhe kryeqytetin e Kosovës – Shkupin. Kjo kryengritje kaq e suksesshme e nxiti krijimin e Aleancës Ballkanike të fqinjve pushtues e ekspansionistë antishqiptarë mes Serbisë, Malit të Zi, Greqisë e Bullgarisë, të cilat i shpallën luftë Perandorisë Osmane dhe ua mësyen trojeve shqiptare. Kur shqiptarët çliruan kryeqytetin e Kosovës, VMRO-ja e atëhershme, prej të cilës rrjedh kjo e sotshmja në pushtet, ishte ajo që kërkonte ndërhyrjen bullgare për ta penguar përpjekjen tonë kombëtare për pavarësi politike.
Lëvizja VETëVENDOSJE! mbështet nismën e Bashkimit Demokratik Kombëtar për shënimin e 98 vjetorit të çlirimit të Shkupit nga kryengritësit shqiptarë më 1912. Ky shënim është shumë i nevojshëm sepse ka të bëjë me njërën prej ngjarjeve më të rëndësishme të çlirimit kombëtar të shekullit XX. Kujtimi i kësaj përpjekjeje është i domosdoshëm sot. Para më pak se një shekull Shkupi u çlirua nga shqiptarët dhe ishte kryeqytet i Kosovës, kurse sot ai është kryeqytet i Maqedonisë dhe ndodhet nën një fushatë të egër maqedonizimi arbitrar, duke filluar që nga praktikat asimiluese të aspektit demografik, trysnia dhe shtypja politike, ekonomike, imponimi i gjuhës maqedonase nëpër shkolla, ndalimi i flamurit shqiptar, nëninvestimet nëpër komunat shqiptare, e deri te planifikimi diksriminues urban (Shkupi 2014). Shqiptarët në Maqedoni po sulmohen (dhuna e tifozëve të Vardarit); po fyhen e poshtërohen (Enciklopedia shtetërore); po diskriminohen (nënpërfaqësimi institucional administrativ dhe nëpër vendet e punës); po iu mohohet identiteti kombëtar (përvetësimi i Nënës Tereze)”.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›