Berat, arrestohet autori i vjedhjes së postës
Policia ka prangosur Sajmir Zylyftarin duke e akuzuar për grabitjen e parave të pensioneve në qytetin e Poliçanit
BERAT- Pas shumë hetimesh e kërkimesh më në fund ka rënë në grackën e policisë njeriu që vodhi pak ditë më parë paratë e pensionistëve në filialin e postës së Poliçanit. Gjithçka është realizuar gjatë operacionit të koduar "Kasaforta", të kryer nga Sektori i Krimeve të rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Berat dhe në bashkëpunim edhe me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat. Arrestimi i autorit të vjedhjes së Zyrës Postare të Ndarjes së Pensioneve të Filialit të Postës së qytetit të Poliçanit është shtetasi Sajmir Zylyftari,30-vjeç. Ai është banues i Poliçanit dhe arrestimi është kryer mëngjesin e ditës së djeshme teksa ky i fundit ka qenë si zakonisht në banesën e tij. Pas arrestimit atij i janë gjetur në shtëpi edhe 850 mijë lekë të reja, pjesë e mbetur e shumës prej 1.5 milionë lekë të reja, të vjedhura pesë ditë më parë në Filialin e Postës së qytetit të Poliçanit. Përveç parave, policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale një telefon celular dhe automjetin tip "Renault",me targa "DR 7835 E", që drejtohej nga autori i vjedhjes. Mësohet se shtetasi Sajmir Zylyftari ka qenë i njohur element me precedentë penalë, si autor i vjedhjes së banesave dhe shpërndarës i lëndëve narkotike në disa shtete europiane si Holandë e Francë. Madje ai është dënuar atje për këto vepra penale. Pas arrestimit të Zylyftarit, ekspertët e policisë kriminale shpresojnë që të zbulojnë dh arrestojnë edhe bashkëpunëtorë të tjerë, pasi tashmë është faktuar se ai nuk ka qenë i vetëm në kryerjen e aktit të tij kriminal. Madje burime të Drejtorisë së Policisë bëjnë me dije se po punohet me intensitet për zbulimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve të tjerë të Zylyftarit në këtë vjedhje, por emrat e tyre nuk bëhen ende të ditur për shkak të hetimit