E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letërkëmbimi i vajzës së kryeministrit për tokat e Fazlliç

Argita Malltezi Berisha do të shiste tokat e Damir Fazlliç në Porto Romano tek një shtetas i huaj. Më pas aty do të ndërtohej një park energjetik që do të miratohej nga qeveria Berisha. Ja letërkëmbimi i plotë Malltezi- Zafar Ansar


TIRANË- Vajza e kryeministrit Sali Berisha, Argita Malltezi dhe studioja e saj ligjore kanë negociuar për shitjen e tokës që trafikanti boshnjak, Damir Fazlliç, ka blerë në Porto- Romano. Sot zbardhet letërkëmbimi i plotë mes Argita Malltezit dhe një shtetasi të huaj, Zafar Ansar, i cili do të blejë tokën me qëllim ndërtimin e një parku energjetik. Në negociata, përveç vajzës së kryeministrit Berisha, është përfshirë edhe ortakja e saj, Flutura Kola. I gjithë komunikimi është kryer nëpërmjet adresave "Argita Malltezi" am@malltezi-associates.com; argita_malltezi@yahoo.com; "Zafar Ansar" zafaransar@yahoo.com dhe Flutura Tafaj f.kola@kola-associates.com. Madje në një prej e-maileve, Zafar Ansar i kërkon vajzës së kryeministrot Berisha që të ndikojë në mënyrë që ai të marrë leje nga KESH-i për ndërtimin e impiantit elektrik në tokat e Damir Fazlliç.


Në e-mailet që po publikohen sot dallohet qartë se ndërmjet Argita Malltezit dhe Zafar Ansar është zhvilluar një takim "shumë i frytshëm". "E dashur zonja Malltezi, ishte një kënaqësi të takohesha me ju dhe të diskutonim për ndërtimin e një parku energjetik me fuqi 100-120 MW në Shqipëri. Siç ramë dakord, kërkesat tona për tokën janë 50-60.000 metra katrorë....",- është e-maili i parë i shkëmbyer mes Argita Malltezit dhe Zafar Ansar. Në të, shtetasi i huaj paraqet të gjitha kërkesat e tij për tokën si dhe i kërkon Malltezit edhe informacione në lidhje me lejet që duhet të marrë nga shteti shqiptar për ngritjen e impiantit.


Por kjo gjë ishte paracaktuar më parë nga Damir Fazlliç dhe kryeministri shqiptar, babai i avokates, Sali Berisha. Damir Fazlliç ka blerë këtë tokë në Porto Romano të Durrësit në korrik të vitit 2007 kundrejt çmimeve qesharake. Më shumë se 16 hektarët e parë i janë blerë fshatarëve me çmime qesharake pasi ishte një tokë e pashfrytëzueshme. Kur avokatët e Fazlliç (Argita Malltezi dhe Flutura Kola) kanë mbaruar "operacionin" për blerjen e tokave, në qeveri është hedhur ideja e parkut energjetik. Për "koincidencë" ky park do të ndërtohej pikërisht në tokat e mikut të kryeministrit, Damir Fazlliç. Menjëherë pas kësaj, çmimi i tokave u rrit disa herë nga ai fillestar.


Por vetë Fazlliç nuk kishte ndër mend që të ndërtonte parkun energjetik në këtë vend pasi nuk kishte as mundësitë financiare. Për këtë arsye ai ngarkoi avokatët, Malltezi dhe Kola, që të gjenin një person të interesuar që të blinte tokën ku qeveria Berisha do të jepte lejen për ngritjen e parkut energjetik.


Në e-mailet e tjera vajza e kryeministrit dhe shtetasi i huaj Zafar Ansar diskutojnë për tarifat që do të marrë Argita Malltezi për punën e saj. Këto tarifa janë nga 150 deri në 200 euro për çdo orë pune. Më pas Argita Malltezi i sugjeron klientit të huaj që të negociojë edhe me KESH-in në mënyrë që të nisë projekti për ndërtimin e parkut energjetik.


Pas shumë diskutimesh, Argita Malltezi i jep Zafar Ansar dy variante: i pari për një tokë që ndodhet pranë nënstacionit elektrik por edhe pranë një zone të pabanuar; i dyti është disi më larg nënstacionit por është shumë prane një zone industriale. "Unë ju sugjeroj që të zgjidhni variantin e dytë, i cili është edhej zgjedhja më e sigurtë",- këshillon Argita Malltezi Berisha në lidhje me tokën e Damir Fazlliç. Më pas ajo i kërkon Zafar Ansar që të nxitojë me zgjedhjen e tij pasi ka shumë presion nga agjentët e saj në terren.


Në këtë pikë Zafar Ansar i shpjegon Argita Malltezit që përpara se të merren vendimet duhet marrë miratimi i KESH-it. Dhe më pas ai i bën një propozim të dyshimtë: "Në lidhje me tokën unë do të ndjek sugjerimet e tua por marrëveshja përfundimtare duhet bërë vetëm pasi të kemi marrë përgjigje pozitive nga KESH-i, e cila mund të arrihet me përpjekjen tuaj",- thuhet në e-mailin drejtuar Argita Malltezit.


Malltezi merr 3% të vlerës së projektit
Në letërkëmbimin e vajzës së kryeministrit me shtetasin e huaj Zafar Ansar përveç pagesës fikse, e cila është 150- 200 euro për çdo orë pune, Argita Malltezi parashikon edhe një tarifë përfundimtare. Kjo është disa herë me e lartë se sa e para pasi studioja "Malltezi& Kola" kërkon që të paguhet tre për qind e shumës totale të investimit në rast se marrëveshja realizohet.


Toka iu ble fshatarëve me çmime qesharake me pretekstin se ishte e helmuar. Fazlliç bleu edhe tokë shtetërore
Si bleu Fazlliç tokën në Porto Romano

Damir Fazlliç, ka blerë tokën në zonën e Porto Romanos pak kohë përpara se ajo të bëhej me vlerë për shkak të projektit për park energjetik. Avokatët e tij kanë zbritur në fshat ku kanë blerë tokën e fshatarëve por kjo nuk i ka mjaftuar. Përveç tokës së fshatarëve ai ka marrë edhe tokë shtetërore dhe e paprivatizuar. "Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme e qytetit të Durrësit, pas kërkesës së prokurorisë për përshkrimin analitik të dy pronave me numër dojesh 65 dhe 72 që figurojnë nën emrin e shtetasit Damir Fazlliç, ka kthyer përgjigje, duke dhënë me detaje të gjitha të dhënat e këtyre pronave të blera nga shtetasi serbo-boshnjak. Sipas këtyre shkresave, figuron se pronat ndodhen në territorin e vendit të njohur si fshati "Rinia" brenda komunës së Porto Romanos në Durrës",-thanë zyrtarë të prokurorisë. Këto dy prona janë 16 hektarë dhe i janë blerë fshatarëve të kësaj zone, të cilët e kanë përfituar truallin nga shpërndarja e tokës në bazë të ligjit 7501. "Sipas shkresës së ardhur nga Hipotekat, rezulton se përveç fshatarëve, një sipërfaqe e caktuar e truallit i është blerë komunës së Porto Romanos nga përfaqësuesit ligjorë të shtetasit Damir Fazliç,"-thuhet nga burimet zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Mësohet se hipotekat, në përgjigjen analitike dërguar prokurorisë së Tiranës, kanë renditur të gjithë emrat e pronarëve shitës, sipërfaqen e tokës së shitur dhe shumat e kontratave të shit-blerjes, ku rezulton se asnjë kontratë nuk ka çmim të njëjtë, por të ndryshme nga njëri-tjetri edhe pse në ndonjë rast sipërfaqja e tokës ishte e njëjtë. Mësohet gjithashtu se arsyeja e shitjes, sipas fshatarëve, ka qenë se i është cilësuar trualli si tokë e helmuar dhe e pa shfrytëzuar.



 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›