E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, kambisti ekzekutohet në derën e shtëpisë

Hyzoti është vrarë nga dy persona të maskuar me kaska motori teksa po hapte derën. Mister shkaku i krimit dhe autorët


DURRËS- Një 45-vjeçar është ekzekutuar në mënyrë mafioze paraditen e djeshme në qendër të qytetit të Durrësit. Agush Hyzoti është vrarë nga një breshëri automatiku në derën e shtëpisë së tij në lagjen 11 të qytetit në orën 15.30 të ditës së djeshme. Ai ishte duke u kthyer në shtëpi rreth kësaj ore dhe s'i ka shkuar nder mend se pikërisht në shkallën e banesës ku jetonte, në vend të fëmijëve që e prisnin çdo ditë, këtë radhe e priste një pritë e mirorganizuar. Kur kanë dëgjuar krismat banoret kanë dalë me nxitim por çdo ndihme ka qenë e kotë pasi plumbat i kishin përshkuar organet jetësore dhe kishte vdekur në vend. Menjëherë në lagje kanë ardhur furgonët e policisë, të cilët kanë rrethuar zonën por autorët e vrasjes kishin ikur me një motor që i priste në oborrin e banesës ku jetonte viktima e atentatit mafioz. Vrasja ka ndodhur në afërsi të Muzeut të Dëshmorëve. Agush Hyzoti, punonte si kambist dhe njihej për një natyrë shume të komunikueshme dhe si një prind shembullor. Ai kishte tre fëmijë, dy djem binjakë dhe një vajzë. Deri në vitin 2005 ai kishte punuar në antikontrabandën e Portit të Durrësit.
Vrasja
Në vrasjen e tij, sipas informacionit të policisë dhe dëshmive të familjarëve e personave të pranishëm në vendin e ngjarjes, vrasësit kanë qenë dy vetë. Ata kishin ardhur më parë dhe e kishin pritur në shkallën e pallatit ku jetonte, në katet e sipërme. Në momentin kur Agushi është ulur nga makina dhe ka ngjitur shkallët e banesës deri në katin e dytë duke hapur derën, ai është qëlluar nga dy djemtë që kishin vendosur kaskat e motorit në kokë për të mos u identifikuar. Aty është qëlluar dy herë me automatik kallashnikov dhe pasi Agushi ka rënë në tokë, ata janë larguar me shpejtësi. Për të ikur, dy vrasësit, kanë shfrytëzuar rrugicat anësorë që janë në afërsi të banesës për të dalë në rrugët e qytetit pa u kapur ose identifikuar. Ngjarja është cilësuar si mjaft e rëndë nga policia e Durrësit. Ndërkohë familja e të ndjerit është shokuar dhe gruas së tij i ka rënë disa herë të fikët. Sidomos kur ambulanca ka ardhur dhe ka marre trupin e tij të pajetë të gjithë fqinjët kanë përjetuar skena dramatike të një ndarjeje të dhimbshme, të një prindi nga bashkëshortja dhe tre fëmijët.
Policia
Policia ka mbledhur gëzhojat në vend ngjarje si edhe armën, të cilët autorët e kanë hedhur në sheshin mes shkallëve të pallatit. Në momentin e ardhjes së tyre ka pasur idenë se edhe në tarracën e pallatit mund të kishte njerëz të armatosur ose se mund të ishin strehuar persona që mund të ishin në cilësinë e grupit mbështetës të atentatorëve. Kjo ka përhapur panik të shumtë tek banorët ndërsa efektivët e policisë, të veshur me antiplumb, janë ngjitur në tarracë. Pas kontrollit është mësuar se në tarracë nuk ndodhej askush.
Burimet e policisë pohuan se në të gjitha pikat dalëse të qytetit të Durrësit janë ngritur postblloqe që kanë kaluar në një sitë kontrolli personat që mund të dyshoheshin për këtë vrasje. Deri në orët e vona të natës policia lokale nuk ka dhënë asnjë njoftim në lidhje me motivin e këtij krimi ose për dyshimet e saj mbi autorët e mundshëm. Mungesa e një motivi ka hedhur edhe më shumë mister mbi këtë vrasje.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›