E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvrasjet, 100 viktima në 7 muaj

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Kushtet e vështira ekonomike, dhuna fizike e psikologjike në familje dhe në pak raste sëmundjet psikike kanë shtyrë 100 persona t i japin fund jetës. Rritja në mënyrë të frikshme e numrit të personave që zgjedhin t u japin fund halleve përmes vetëflijimit është shënuar vetëm gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti. Sipas statistikave, del se në çdo tri ditë një person vetëvritet. Ndërsa intervali i moshës së viktimave varion nga mosha 27-35 vjeç. Më të prekura nga dukuria e vetëvrasjes janë femrat dhe kryesisht nënat e reja, ndërsa për meshkujt janë të moshuarit ata që zgjedhin të vetëvriten.
Statistikat
Mesatarisht, çdo tri ditë, një person i jep fund jetës. Kështu, vetëm gjatë shtatë muajve të parë të 2008-ës janë vetëvrarë 100 persona. Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se disponojnë statistika zyrtare vetëm për gjashtëmujorin e parë të vitit. Sipas të njëjtave burime, mësohet se numri i viktimave në këtë periudhë ka qenë 88, duke e vënë këtë fenomen në vendin e parë për nga shqetësimi me mundësitë e vogla për ta luftuar. Burimet nga uniformat blu pohojnë se mbetet shqetësues shkaktimi i vetëvrasjes. Për këtë periudhë janë evidentuar 73 raste të vetëvrasjes dhe 15 raste të tentativës për vetëvrasje. Ndërkohë që gjatë kësaj periudhe janë evidentuar 44 vrasje. Dyfishimi i rasteve të vetëvrasjeve në raport me vrasjet nxjerr në pah problemet brenda familjes në vendin tonë. Ndërkohë që vit pas viti, statistikat e policisë shënojnë një rritje të ndjeshme në rastet e vetëvrasjeve. Kështu, referuar statistikave zyrtare të Policisë së Shtetit, nga viti 2005 deri në vitin 2007 kemi një rritje prej 18 rastesh, pra 10-18 raste çdo vit. Ndërkohë që 88 akte vetëvrasëse kemi vetëm 6-mujorin e parë të vitit 2008, teksa numërohen edhe më tepër vetëm për muajin korrik, ky i papërfshirë në statistikat 6-mujore.
Mënyrat
Aktet vetëvrasëse janë kryer me mënyra dhe mjete të ndryshme, siç mund të përmenden vetëvrasjet me armë zjarri, raste të pakta me armë të ftohta, fostoksinë, duke u hedhur në zjarr apo dhe nga lartësi, si ballkonet, dritaret apo sheshpushimet e pallateve.
Ndërsa mosha e këtyre personave varion nga 29 deri në 35 vjeç, ndërsa motivet që i kanë çuar drejt kryerjes së akteve të tilla janë ato social–ekonomike, sëmundjet psikike, konfliktet, papunësia.
Dhuna në familje
Dhuna në familje vazhdon të mbetet një problem shqetësues për punën e policisë. Është pikërisht ky fakt që shtyn drejt vetëflijimit pjesën më të madhe të viktimave. Gra të nxitura nga burri për t i dhënë fund jetës apo të mitura që ndihen të dhunuara nga prindërit, janë dy kontigjentet që zgjedhin vdekjen si të vetmin shpëtim. Sipas statistikave të policisë, për 6 muajt e parë të këtij viti, dhuna në familje gjatë kësaj kohe ka prekur 258 persona. Ndërkohë policia ka përgatitur dhe ndjekur praktikat për 70 urdhra mbrojtjeje për të dëmtuarat nga dhuna në ambientet familjare. Gjithsesi, dhuna në familje vazhdon të mbetet shqetësim, për vetë faktin se ndërmjet të tjerave janë evidentuar 7 vrasje, 6 plagosje të rënda, si dhe mjaft tendenca të tjera kriminale.

Sociologjët
Vetëvrasjet stimulohen edhe nga vapa
"Temperaturat e larta agravojnë sëmundje me karakter depresiv dhe stimulojnë njerëzit që të shkojnë drejt vetësakrifikimit",- kështu i shpjegon sociologu Zyhdi Dervishi tendencat e fundit drejt vetëvrasjes. Sipas sociologut Zyhdi Dervishi, Hëna ka ndikim në shumë procese jetësore. Kështu, sipas tij, fluksi i rrezeve që vijnë nga Hëna, kanë ndikimin e tyre në shumë procese. Me një shembull të thjeshtë, Dervishi e argumenton një shprehje të tillë. Sipas Dervishit, edhe në shoqëritë shumë fetare, niveli i vetëvrasjeve është shumë më i ulët se tek shoqëritë e tjera. Më shumë vetëvriten të pasurit. Në shtetet e huaja, sidomos në ato të Amerikës, numri i të pasurve që vetëvriten është më i lartë se numri i të varfërve. Ndërsa në vendin tonë duket se ndodh e kundërta. Problemet sociale apo të bërit pjesë në një shoqëri me presion dhe mentalitet të vjetër, i çon sidomos adoleshentët në vetëvrasje. Ndërsa në shumë raste, kryefamiljarët janë vetëvrarë për shkak të borxheve, pra të kushteve të rënda financiare, e si rrjedhojë, edhe psikologjike.
Ky lajm është publikuar: 23/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›