Wenger nuk shpenzon shumë

Arsene Wenger ka theksuar se Arsenali nuk ka nevojë të bëjë përforcime të shtrenjta këtë verë. Edhe pse Topçinjtë e vazhduan serinë e tyre pa humbje në Premierligë në 16 ndeshje pas barazimit 3-3 me rivalin londinez Tottenhamin, ata kanë fituar vetëm një prej nëntë ndeshjeve të fundit, duke rënë në pozitën e tretë me golaverazh më të dobët se Chelsea, por tani nëntë pikë më pak se kryesuesi Manchester United, që fitoi 1-0 ndaj Evertonit të shtunën.
Wenger edhe njëherë është detyruar të mbrojë ndërtimin e ekipit të tij të ri, pavarësisht spekulimeve se do t’i ketë 40 milionë funte në dispozicion nëse dëshiron të sjellë përforcime gjatë verës.
“Ndiej se gjithmonë ekziston nevoja për të përmirësuar ekipin, por nëse shikoni sezonet tona të kaluara, nuk mund të vini në përfundim se kemi nevojë për ndryshime të mëdha. Ky do të ishte budallallëk”, tha Wenger. Ai shtoi: “Jetojmë në një botë ku nëse jeni të dytit me disavantazh të vogël, të gjithë thonë se jeni mbeturinë. Kjo është bota moderne, por nuk është realiteti. Ne jemi aty, por për faktin se nuk kemi fituar tituj, njerëzit na shkatërrojnë tërësisht. E mira në botën tonë është se të gjithë kanë bankrotuar, ndërsa ai që nuk shpenzon është një idiot”.