Qëllojnë me armë policinë, arrestohen at e bir
Lezhë-Dy persona, at e bir, u arrestuan dje pasi qëlluan me armë policinë e Lezhës, sepsei nuk donin që ajo të ndalonte dhe kontrollonte makinën në të cilën, mesa duket, kishin armë. Përplasja ndodhi të shtunën në mbrëmje, kur një patrullë policie ka tentuar të ndalojë dhe bllokojë makinën Audi 80 me targa SH 3778 C, e cila ishte e ndaluar në një cep rruge në aksin e vjetër rrugorë Lezhë-Kallmet, në vendin e quajtur Ura që ndan fshatin Kallmet i Vogël me fshatin Ungrej. Në këtë moment ndaj makinës së policisë që ishte afruar në një distancë rreth 100 m prej veturës, është qëlluar nga personat që ndodheshin në të. Pas të shtënave me armë në drejtim të patrullës, kjo e fundit ka njoftuar kolegët e tyre të komisariatit dhe D.P.Qarkut Lezhë, të cilët janë vënë menjëherë në lëvizje në ndihmë të kolegëve. Policia ka mundur të mbajë në vend mjetin dhe të kryejë edhe rrethimin e zonës, së fshatit ku edhe ndodhi përplasja me armë, ndërmjet dy të arrestuarve dhe policisë dhe ka bërë të mundur edhe arrestimin e Mark dhe Altin Lleshit. Policia bëri të ditur se gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes u gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale shtatëmbëdhjetë copë gëzhoja mod.56 , rreth 100m nga vetura SH 3778 C, ndërsa pranë mjetit u gjend një gëzhoje pistolete, ndërsa në banesën e Mark Lleshit është gjendur një armë zjarri mitraloz i lehtë, që do të dërgohen për ekzaminim.