E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kanë 2010, pret kineastët Shqiptarë



Shqipëria do të marr pjesë me prodhimet kinematografike shqiptare të tri viteve të fundit

Më në fund kineastëve shqiptarë iu është hapur drita jeshile për të prezantuar krijimet dhe prodhimet e tyre në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Kanë. Shqipëria do të marr pjesë me prodhimet kinematografike shqiptare të tri viteve të fundit. Më së fundi të gjithë së bashku në një prezantim shqiptar. Deri më sot garat dhe prezantimet e filmave shqiptarë kanë qenë kërkesë dhe ambicie e regjisorëve, pa e kapërcyer cakun e një prezantimi të plotë të filmit shqiptar, aq më tepër në festivale të kategorisë A. Në pavijonin e vendeve të Evropës Juglindore, nga data 12-21 maj, Kana bëhet pritëse e gjashtë regjisorëve dhe producentëve shqiptarë dhe prodhimeve të tyre filmike. Shqipëria, bashkë me vende të tjera të Evropës Juglindore, prezanton në Tregun e Filmit (Marche du Film), të Festivalit të Kanës (12 -23 maj) prodhimet filmike të këtyre tri viteve të fundit. Është hera e parë që rrjeti i kinemave të Evropës Juglindore prezantohet në një pavijon të veçantë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Kanë. Nën logon South-East European Pavilion, prezantojnë prodhimet e tyre filmike shtetet si: Maqedonia, Bosnja, Bullgaria, Sllovenia, Kroacia, Qipro dhe Shqipëria. Festivali i Kanës është ngjarja më me rëndësi për kineastët, sidomos të vendeve të vogla, për krijimin e kontakteve dhe prezantimi e punës së tyre. Më 12 maj, në Kanë, shkojnë 6 regjisorë dhe producentë shqiptarë Pluton Vasi, Vjollca Dedei, Spartak Pecani, Dritan Huqi, Andi Deliana, Sabina Kodra dhe Joni Shanaj. Hapësira e pavijonit shqiptar prej 200 m2, do të ketë mundësinë e ekspozimit të afisheve, katalogëve, broshura, manualë, DVD dhe trailer-a të filmave të tri viteve të fundit. Prezantohen filmat: "Kronikë provinciale" me regji të Artan Minarollit, "Ne dhe Lenini" i Saimir Kumbaros, "Mao Ce Dun" i Besnik Bishës, "Sekretet" i Spartak Pecanit, "Trishtimi i Zonjës Shnajder" i Pirro Milkanit, "Honey Moon" i Goran Paskaljeviçit. Në këtë prezantim edhe një film shqiptar, prodhuar në Kosovë, i titulluar "Refren për Kosovën" (Requiem for Kosova), me regji dhe skenar të Dhimitër Ismailaj, që shfaqet në seksionin Short Film Corner. Është realizim i vitit 2010, bashkëprodhim i shtëpive filmike nga Kosova: "Dyrrachium Production" dhe "Akt Production". Kujdes i veçantë duket se i është kushtuar filmave "Gjallë" i Artan Minarollit, "Koha e Kometës" i Fatmir Koçi dhe "Lindje-Perëndim-Lindje" i Gjergj Xhuvanit që veç trailerave, afishet e filmave do të ekspozohen edhe në muret e brendshme të pavijonit. Në këtë pavijon prezantohen edhe trailerat e filmave në postproduksion, duke u sjellë një promovim për distribuimin dhe prezantimin paraprak të prodhimeve kinematografike të reja. Në këtë vitrinë janë trailerat e filmave: "Balkan Pazar" me regji të Edmond Budinës, "I huaji" i Pluton Vasit, "Farmakon" me regji të Joni Shanajt , "Out of Touch" me regji të Andi Delianës, "Shqiptari" i Johannes Naber.

Kush do të parakalojë sivjet në tapetin e kuq në Kanë?

Bota e filmit në mes të majit fokusohet në Kanë, ku zhvillohet Festivali Ndërkombëtar i Filmit(12-23 maj). Në konkurs janë sivjet një bashkëpunim gjermano-ukrainas: "You, My Joy" (gjermanisht "Mein Glück" / Fati im) kështu titullohet filmi i regjisorit ukrainas, Sergei Loznitsa. Për realizimin e këtij filmi janë derdhur para jo vetëm nga Ukraina, por edhe nga Holanda e Gjermania. Shumica e filmave të tjerë në konkursin e Kanës vijnë nga vende jashtë evropiane, ndër të tjera nga Koreja, Irani, Algjeria apo Meksika. Festivali hapet më 12 maj me prodhumin e Hollivudit "Robin Hood" të Ridley Scott – një spektakël historik, që shfaqet jashtë konkurrencës. Tifozët qysh tani mund të gëzohen për praninë e personaliteteve të kinematografisë, që do të parakalojnë në tapetin e kuq. Ndryshe nga Berlinalja në shkurt, në maj në Kanë normalisht nuk fryn erë e ftohtë, por një fllad i ngrohtë mesdhetar.

5 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›