E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takim teatrosh në Berlin



Gjatë këtij sezoni Berlini do të mirëpres autorët, producentët dhe aktorët e shumë vendeve të ndryshme. "Të ftuar në takimin e teatrove në Berlin" - në selitë e teatrove shpërthejnë tapat e shampanjës, kur pjesët e interpretuara në skenën e tyre vlerësohen me këtë mbishkrim, kjo do të thotë që vepra mund të jetë një ndër dhjetë inskenimet më të mira të vitit në gjuhën gjermane. Ky është një vlerësim i bukur për të gjithë autorët, producentët e aktorët, por edhe një aktivitet , që tërheq vëmendjen e publikut. Përzgjedhjen e bën juria e përbërë nga kritikë të teatrit, të cilët shohin rreth 400 pjesë teatrore gjatë sezonit në vazhdim. Pjesët e përzgjedhura shfaqen në Berlin nga data 7-23 maj, ku përveç kësaj organizohet edhe një program me diskutime, festim premierash dhe workshop-e për brezat e ardhshëm. Një shembull është "Forumi Ndërkombëtar". Në këtë veprimtari sivjet janë ftuar në Berlin 43 regjisorë dhe autorë nga gjithsej 120 vende, për të mbledhur përshtypjet dhe për të shkëmbyer përvojën. E të gjitha këto janë komponentët e një festë të madhe të teatrove!

Amazonas-Opera në Mynih
"Shikimi i tjetrit" – kjo është motoja e Bienales muzikore në Mynih. Kjo veprimtari zhvillohet çdo dy vjet dhe konsiderohet si forumi për operën moderne. Një ndër pikat kulmore sivjet është premiera e operës Amazonas. Një projekt, në të cilin ndër të tjerë merr pjesë edhe Instituti Goethe, projekt ky që është realizuar edhe në bashkëpunim me Yanomani, një ndër popujt e mëdhenj indigjenë dhe i fundit në Amerikën e Jugut. Kjo pjesë tregon këndvështrimet e ndryshme ndaj natyrës duke nxjerrë në pah kontrastin e këndvështrimit shkencor-teknik të evropianëve kundrejt atij të kozmologëve indianë dhe spiritualitetit të shamanëve. Kompozitori brazilian Tato Taborda bashkëpunimin me Yanomani e përshkruan si mjaft intensiv dhe botën e tingujve të pyllit si një "polifoni jashtëzakonisht të pasur". Produksioni ka zgjatur dy vjet, premiera është më 8 maj, pas kësaj opera do të shfaqet edhe në Brazil e në Portugali.

New Jazz Festival në Moers

Sezoni i festivalit është sërish në prag - më në fund! Nxirren çadrat dhe skarrat e më pas s' të mbetet gjë tjetër veçse të zhytesh në botën e xhazit. Rreth 20.000 vizitorë priten në festivalin në Moers. Gati gjysma e tyre vijnë me bileta, të tjerët thjeshtë preferojnë të hapin çadrat në fushën e kampingut pranë kuartierit të festivalit duke i dëgjuar tingujt në natyrë. Për të dëgjuar ka xhaz, muzikë elektronike, muzikë klasike dhe bashkëkohore. Festivali jeton prej prezantimeve të vazhdueshme të artistëve të rinj, të cilët kanë aksesin e tyre origjinal tek muzika - kjo nën moton: ai që do të mësojë sot, se çfarë do të interpretohet nesër, duhet të vijë në Moers. Hyrja është e lirë edhe në aktivitetet anësore, ndër të tjera tek "koncertet në errësirë". Këto nuk janë koncerte që zhvillohen natën, por në të ashtuquajturat çadrat e errëta. Ideja është një përjetim i pastër i të dëgjuarit pa asnjë ngacmim tjetër.

5 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›