E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhuna në familje, plumba burrit në sy të fëmijës 3 vjeç



MIRDITE - Tenton të vrasë bashkëshortin me pistoletën e tij për t’u vetëmbrojtur nga dhuna. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 09:00 në fshatin Ndërfushaz të Mirditës. Mimoza çupi, 28 vjeçe, u prangos për vrasje të mbetur në tentativë, pasi qëlloi me një plumb në bark të shoqin, Dritan çupi. Mësohet se ngjarja ndodhi pas një grindjeje ndërmjet bashkëshortëve për shkaqe xhelozie. Sipas policisë, e cila bazohet edhe në dëshminë e dhënë nga e arrestuara, prej më se gjashtë vitesh ata kishin konflikte të vazhdueshme në familje. Shkak ishte bërë dhuna e 32-vjeçarit ndaj së shoqes. Burime të policisë bënë të ditur se i plagosuri e keqtrajtonte gruan e tij, pasi ai vazhdimisht konsumonte alkool. Pikërisht për këtë shkak, por edhe dyshimet për tradhti të mundshme të tij, e kanë kthyer bashkëjetesën e tyre në situata ekstreme dhe të padurueshme. Sipas policisë, nga hetimet e kryera rezultoi se 28- vjeçarja ishte larguar disa herë nga banesa bashkë me fëmijën e saj, vetëm 3 vjeç. Ajo ishte kthyer vetëm një natë para se të ndodhte ngjarja në Ndërfushaz. Nëna e saj, Drane Prendi e kishte sjellë vetë të bijën nga fshati Mnelë i Shkodrës tek i shoqi, me qëllim për t’i pajtuar ata. Por fatkeqësisht, ajo është bërë dëshmitare e kësaj ngjarjeje të rëndë. Mësohet se bashkëshortët kanë nisur të grinden që në mëngjes, ndonëse nëna e 28-vjeçares është munduar t’i qetësojë ata. Por konflikti precipitoi fatalist, kur Mimoza çupi rrëmbeu armën e të shoqit, të cilën ai e mbante pa leje. Në tentativë për t’u vetëmbrojtur nga agresori, gruaja i ka drejtuar armën të shoqit për ta trembur atë, por papritmas pistoleta ka shtënë duke e plagosur 32- vjeçarin. Gjithçka ndodhi në sy të vajzës 3-vjeçare, fëmija i vetëm i çiftit. Një telefonatë e kryer nga fqinjët e tyre vuri në alarm Policinë e Rrëshenit, e cila mbërriti pak minuta më pas, duke qenë se distanca nga fshati në qytet është e afërt. Pas ndalimit të 28-vjeçares, ajo deponoi se bashkëshorti i saj kishte nisur ta keqtrajtonte pasi kishin debatuar. Ajo dhunohej vazhdimisht nga 32-vjeçari, por sipas dëshmisë së saj, ajo nuk kishte dashur ta plagoste atë, por vetëm sa ta trembte. r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›