E Diel, 1 Nëntor 2026

Rritet tregtia, por deficiti shënon 14.1 për qind



nertila maho

Deficiti tregtar i muajit mars u rrit 14.1% krahasuar me muajin paraardhës, shifër që në vlerë monetare sipas INSTAT është 23.6 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar situata paraqitet më pozitive, pasi vihet re një ulje prej 7.5 për qind. Raporti i Institutit të Statistikave mbi tregtinë e jashtme i publikuar dje vë në dukje një rritje prej 28.8 për qind të eksporteve krahasuar me shkurtin dhe një rritje 83 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të 2009-ës. Referuar grupeve të eksportit, rritjen më të madhe e ka pasur grupi “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike”, që shënoi shifrën 67.7 për qind krahasuar me muajin shkurt. Vlen të theksohet që gjatë muajve të fundit vendi ynë ka eksportuar energji në shifra rekord dhe falë këtij eksporti të katër muajve të parë të vitit janë siguruar 60 milionë euro. Ndërkohë, sipas raportit të INSTAT mbi eksportet, rritje kanë pësuar edhe grupet “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi”, 34.5 për qind, “materiale ndërtimi dhe metale”, 27.3 për qind, “prodhime druri dhe letre” 19 për qind. Favorizuese është shfaqur situata edhe për importet, të cilat gjatë muajit mars u rriten me 19.3 për qind krahasuar me shkurtin dhe 14 për qind me marsin e 2009-ës. Sipas INSTAT, krahasuar me muajin shkurt 2010, importi i grupit “materiale ndërtimi dhe metale” u rrit 47 për qind, “prodhime druri dhe letre” u rrit 24.2 për qind, “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” u rrit 23.1 për qind, “ushqime, pije, duhan” u rrit 15.8 për qind.
Berisha për eksportet
Paralelisht me INSTAT edhe Kryeministri Sali Berisha preferoi të bënte dje një paraqitje statistikore të eksporteve për 4-mujorin e parë të 2010-ës, para grupit parlamentar të PD-së.
“Eksportet e prillit 2009 kanë qenë 1 milion e 114 mijë tonë, të barabarta të 2.6 miliardë lekë për atë çka është ‘Made in Albania’, kurse në prillin 2010, këto eksperte janë rritur në 1 milion e 163 mijë tonë dhe kanë kapur vlerën 7 miliardë lekë, nga 2.6 miliardë lekë”, tha Berisha. Sipas tij, gjatë 4-mujorit vlera totale e eksporteve nga Shqipëria për vitin 2010 është 48 miliardë lekë, ndërsa për vitin 2009 referuar të njëjtës periudhë është gjithsej rreth 30 miliardë lekë. “Janë afro 180 milionë dollarë më shumë, janë 180 milionë dollarë prodhime më tepër, vende pune më shumë”, u shpreh kreu i Qeverisë.

Mars krahasuar me shkurt

Deficiti buxhetor -14.1 %
Eksportet +28.8%
Minerale, lëndë djegëse +67.7 %
Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi + 34.5%
Materiale ndërtimi dhe metale +27.3%,
Prodhime druri dhe letre + 19 %
Importet +19.3 %
Ushqime, pije, duhan +15.8%
Prodhime druri dhe letre +24.2%
Materiale ndërtimi dhe metale +47%
“Ushqime, pije, duhan” + 15.8%
Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi +23.1%

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›