E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vettel i kthehet fitores

Kampioni aktual i botës në Formula 1, ngasësi i Red Bullit, Sebastian Vettel fitoi garën për Shpërblimin e Madh të Belgjikës, para kolegut të tij, Mark Webber dhe Jenson Buttonit në McLaren. Gjermani shtoi epërsinë në renditjen e përgjithshme në 92 pikë më tepër se përcjellësi i parë i tij, Webber. Nga Express më 28 gusht 2011 në ora 17:03

Kampioni aktual i botës në Formula 1, Sebastian Vettel fitoi garën për Shpërblimin e Madh të Belgjikës, të dielën, dhe përforcoi epërsinë e tij në renditjen e përgjithshme, shtatë gara para fundit.

Vettel u nis nga pozita e parë startuese dhe siguroi fitoren e tij të gjashtë këtë sezon dhe të 17-ën në karrierë. Gjermani udhëhoqi ekipin e Red Bullit drejt dy pozitave të para, pasi kolegu i tij, australiani Mark Webber përfundoi pas tij.

Ngasësi i McLarenit, Jenson Button u nis nga pozita e 13-të, por e zuri Fernando Alonson në Ferrari, në fazën përfundimtare të garës dhe doli i treti, para spanjollit. Shpresat e vogla të Lewis Hamiltonit për titull morën një goditje të fuqishme pas tërheqjes së britanikut nga gara, pas një aksidenti në McLarenin e tij.

Hamilton ka zbritur në pozitën e pestë në renditje, 113 pikë prapa Vettelit, i cili ka 92 pikë epërsi ndaj përcjellësit të parë, Webber. Vettel kishte siguruar polpozicionin e tij të nëntë nga 12 garat e deritashme këtë sezon.

Por, ai nuk kishte fituar asnjë prej tri garave të kaluara në Britani, Gjermani dhe Hungari dhe vetëm një prej pesë të fundit para garës në Spa, duke zgjuar spekulime se është duke humbur epërsinë në garë për titull. Gëzimi i tij ishte i pamohueshëm në fund të garës, kur ai u ngrit mbi bolidin e tij të Red Bullit dhe shtrëngoi duart në ajër.

“Çfarë gare!”, tha ai nëpërmjet radios, pas përfundimit të garës. 24-vjeçari tejkaloi problemet me goma, në fillim të garës dhe arriti të ndalë Alonson, kur spanjolli dukej më i shpejtë.

20 vjet pas debutimit të tij në Formula 1, në pistën e njëjtë, shtatë herë kampioni i botës, Michael Schumacher, i cili u nis nga pozita e fundit, pas aksidentit në kualifikime shfaqi një vozitje të shkëlqyeshme në Mercedesin e tij dhe përfundoi i pesti, prapa Alonsos.

Nico Rosberg në Mercedesin tjetër doli i gjashti, para Adrian Sutilit nga Force India dhe ngasësit tjetër të Ferrarit, Felipe Massa. Pikët e fundit i takuan Vitaly Petrovit në Renault dhe Pastor Maldonados në Williams Cosworth. Vendimet me goma dolën të jenë faktorë vendimtar në fitoren e Vettelit, në pistën prej 7 kilometrave në Spa, më e gjata dhe më e vështira në kalendarin në Formula 1.

Rezultatet e garës:

1 Sebastian Vettel1:26:44.893
2 Mark Webber1:26:48.634
3 Jenson Button1:26:54.562
4 Fernando Alonso1:26:58.115
5 Michael Schumacher1:27:32.357
6 Nico Rosberg1:27:33.567
7 Adrian Sutil1:27:44.606
8 Felipe Massa1:27:50.969

Renditja e përgjithshme:

1 Sebastian Vettel259 pikë
2 Mark Webber167
3 Fernando Alonso157
4 Jenson Button149
5 Lewis Hamilton146
6 Felipe Massa74
7 Nico Rosberg56
8 Michael Schumacher42

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›