Vettel vazhdon dominimin

Sebastian Vettel është shumë pranë titullit të tij të dytë të kampionit të botës në Formula 1, pas fitores së tetë gjatë këtij sezoni të shkëlqyeshëm. Vettel hyri në cak në garën për Çmimin e Madh të Italisë, me gati 10 sekonda epërsi ndaj Jenson Buttonit, në McLaren, i cili u desh të pajtohet me pozitën e dytë në Monza për vitin e tretë të njëpasnjëshëm.
Pas tërheqjes së kolegut të tij nga Red Bulli, Mark Webber, Vettel tani ka 112 pikë epërsi në renditjen e përgjithshme para rivalit më të afërt që tani është Fernando Alonso në Ferrari, i cili kompletoi podiumin duke përfunduar i treti, një sekondë para Lewis Hamiltonit në bolidin tjetër të McLarenit.
Pas Alonsos, Button dhe Webber tani kanë 117 pikë më pak se Vetteli, ndërsa Hamilton është 126 pikë larg gjermanit. Vettel mund të festojë titullin e tij të dytë në Singapor, pas dy javëve. Michael Schumacher, pesë herë fitues në Monza, përfundoi i pesti në Mercedes, falë një tjetër paraqitjeje që zgjoi kujtime të ditëve të tij të lavdishme si kampion absolut.
Fitorja e Vettelit ishte e teta për të këtë sezon dhe e 18-ta në karrierën e tij të deritashme gjatë së cilës ka përfunduar 31 herë në podium në vetëm 75 gara, rekord i cili e vendos atë në mesin e ngasësve më të mëdhenj në Formula 1. Ai e fitoi garën e tij të parë në Formula 1 tri vjet më parë, pikërisht në shtegun e Monzës, por aso kohe si ngasës i Toro Rossos.
“Kur qëndroni këtu, ju ndiheni të bekuar. Sigurisht se fitorja e parë ishte e veçantë, por të kthehem këtu është e jashtëzakonshme. Vërtet kam pasur një bolid shumë, shumë të mirë dhe një ditë fantastike sot. Është podiumi më i mirë në botë. E vetmja gjë që do ta bënte edhe më mirë do të ishte nëse do të kisha të veshur një kostum të kuq”, tha Vettel.
Ngasësi i Ferrarit, Felipe Massa përfundoi i gjashti para spanjollit Jaime Alguersuari nga Toro Rosso dhe britanikut Paul di Resta, i teti në Force India. Braziliani Bruno Senna, nipi i tri herë kampionit Ayrton, mori pikët e tij të para në Formula 1 me pozitën e nëntë për Renaultin, ndërsa ngasësi zviceran, Sebastian Buemi mori pikën e fundit për Toro Rosson.
Rezultatet e garës:
1 Sebastian Vettel1:20:46.172
2 Jenson Button+00:09.590
3 Fernando Alonso+00:16.909
4 Lewis Hamilton+00:17.417
5 Michael Schumacher+00:32.677
6 Felipe Massa+00:42.993
Renditja e përgjithshme:
1 Sebastian Vettel284 pikë
2 Fernando Alonso172
3 Jenson Button167
4 Mark Webber167
5 Lewis Hamilton158
6 Felipe Massa82