KQZ, kutitë e Fierit mund të hapen vetëm me ankimim
PS-ja duhet të ankimojë tabelat e rezultateve, për të detyruar KQZ-në të hapë kutitë. PD-ja ka bllokuar me hile hapjen e tyre
TIRANË- Numërimi i nëntë kutive të votimit të Qarkut të Fierit, rrezikon të mos kalojë përmes një procedure normale, ashtu siç kaluan edhe 6 kutitë e Fushë-Kuqes në Qarkun e Lezhës.
Për rrjedhojë, edhe mandati i fundit në Qarkun e Fierit do t'i përkasë edhe për disa ditë Partisë Demokratike, e cila në bazë të rezultateve paraprake të shpallura prej KQZ-së, ka fituar të drejtën për t'u përfaqësuar me 7 mandate në këtë zonë.
Nëpërmjet një plani të mirëllogaritur, që në momentin kur edhe u mor vendimi për t'i tërhequr ato kuti në Tiranë, demokratët e përfaqësuar në KQZ kanë bllokuar, të paktën nga ana procedurale, çdo mundësi që ato të numërohen prej këtij institucioni në këtë fazë që gjendet ky proces.
Dhe kjo është bërë e mundur nëpërmjet një loje me procedurat, që përcakton Kodi Zgjedhor, i cili nuk i jep kompetencë KQZ-së që të ndërhyjë në tabelat e rezultateve, kur ato janë miratuar më parë prej KZAZ-së, por vetëm t'i miratojë ato.
Kështu, në rastin konkret, ndryshe nga ai i Lezhës, KQZ-ja, në vendimin e saj për të marrë këto 9 kuti në Tiranë, ka detyruar nëpërmjet vendimmarrjes së saj KZAZ-të përkatëse që të marrin një vendim për tabelat e rezultateve.
Të gjendur përballë presionit të penalizimeve dhe mosnjohjes siç duhet të Kodit Zgjedhor, anëtarët e KZAZ-ve kanë rënë preh e kësaj hileje, duke miratuar tabelat e rezultateve, dhe duke mos i shënuar kutitë e panumëruara.
Kjo tashmë ka vënë në vështirësi socialistët, të cilët të gjendur përballë një realiteti të tillë, nuk kanë gjetur rrugëdalje për të detyruar KQZ-në që t'i numërojë këto kuti, ashtu si edhe ato të Lezhës, për të cilat, për hir të së vërtetës, nuk kishte një vendimmarrje nga KZAZ-ja përkatëse.
E vetmja rrugë që u mbetet socialistëve tani për të detyruar numërimin e këtyre kutive, është natyrisht ankimimi, pas vendimit që pritet të marrë KQZ-ja për miratimin e këtyre tabelave dhe shumatores së tyre.
Megjithatë, përfaqësuesit socialistë shprehen se do të kërkojnë që, para se të miratohet lista përmbledhëse nga ana e KQZ-së, do të kërkohet zyrtarisht që të hapen kutitë e votimit për të pasqyruar në rezultat edhe votat që gjenden në to.
Megjithatë, fati i këtyre kutive, në rast se do të respektohen afatet ligjore, duhet të përcaktohet sot, kur KQZ-ja duhet të marrë një vendim mbi tabelat e rezultateve të të gjitha KZAZ-ve të Qarkut të Fierit.
Megjithatë, përfaqësuesit socialistë në këtë institucion nuk shprehen shumë optimistë për diskutimin e tyre gjatë ditës së sotme, pasi nuk ngurojnë ta lidhin gjithë këtë debat me zhvillimet e tjera politike, që po ndodhin ditët e fundit në vend për krijimin e koalicionit PD-LSI.
Sipas tyre, KQZ-ja, si një vegël në duart e Berishës, po pret qëllimisht ditën e martë, kur LSI-ja pritet të diskutojë edhe një herë vendimin e saj për të kaluar djathtas në qeverisje me demokratët. Megjithëse bëhet fjalë vetëm për një mandat, ai merr një rëndësi të madhe po të kemi parasysh raportet e votave mes dy kampeve, e majtë e djathtë.
Por, në rast se konventa e LSI-së, që pritet të mbahet të martën do të miratojë vendimin e kryetarit Ilir Meta, për të kaluar djathtas, atëherë kjo do të lehtësojë ngarkesën politike të këtij procesi dhe PD-ja mund të heqë dorë nga mandati i fundit, duke pranuar të hapë kutitë e votimit, që janë bllokuar në KQZ.
Nga rezultatet e shpallura prej KQZ-së, PS-së i duhen vetëm 37 vota të tjera diferencë kundrejt PD-së për të marrë mandatin e nëntë të sajin në zonën zgjedhore të Fierit.