E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetvendosja: Berisha gaboi me pritjen e serbëve

Lëvizja "Vetëvendosja" ka reaguar ashpër për mikpritjen që iu bë në Tiranë, përfaqësuesve të minoritetit serb në Kosovë nga institucionet më të larta shtetërore. "Një ndër befasitë e fundvitit për qytetarët tanë ishte edhe vizita në Tiranë e përfaqësuesve të minoritetit serb në Kosovë, të udhëhequr nga kryetari i Partisë Liberale Serbe, Slobodan Petroviç, njëkohësisht edhe anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës. Në Tiranë ai u prit nga niveli më i lartë: Presidenti shqiptar, Bamir Topi, Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, Ministri i Jashtëm Ilir Meta etj" thuhej në deklaratën e publikuar nga lëvizja Vetëvendosja. " Përderisa vizita dhe pritja e Petrovicit mund të cilësohet si shfaqje politike, dy deklarata të kryeministrit Berisha janë befasi e hidhur për shumicën e qytetarëve shqiptarë ngado që jetojnë ata. Deklarimi i kryeministrit për përmirësim të marrëdhënieve mes shtetit shqiptar dhe atij serb në kohën kur ky i fundit po shfrytëzon çdo mjet e strategji për ta dobësuar fuqinë politike shqiptare, është pa vend", saktëson më tej deklarata e "Vetëvendosjes". "Kryeministri Berisha duket sikur harroi se ishte Serbia që para disa javësh lobonte me të gjithë forcën kundër liberalizimit të vizave për qytetarët e Shqipërisë. Ky lëshim i autoriteteve të Shqipërisë vetëm sa forcon pozitën dominuese të Serbisë në rajon dhe, rrjedhimisht, dobëson pozitën e Kosovës" thuhej më tej në deklaratë. "Vetëvendosja" theksoi se mosnjohja e Kosovës, por edhe lobimi agresiv i Serbisë kundër njohjeve nga vendet tjera, janë një shkak i mjaftueshëm që Shqipëria të mos normalizojë marrëdhëniet e saj me të, pasi ndryshe nga luksi që kanë disa shtete tjera për neutralitet në këtë çështje, Shqipërisë nuk i takon ky rol.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›