E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetvendosja apelon Nderprisni bisedimet me Serbine

Kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti i ka bërë sërish thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndërpres bisedimet me Serbinë  të cilat i ka quajtur krejtësisht në dëm të vendit. Kurti akuzoi qeverinë Thaçi për ndihmën që po i jep Serbisë në anëtarësimin sa më të shpejt në Bashkimin Europian, përmes pjesëmarrjes së Prishtinës në këto bisedime.

Duke folur para anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes ish lideri studentor tha se këto bisedime po sjellin pasiguri për të ardhmen tek qytetarët dhe po e bëjnë më pak funksional shtetin e Kosovës.

“Në anën tjetër, ky dialogu me Serbinë ka efekt centrifugal për territorin dhe funksionimin e shtetit të Kosovës. Sa më shumë që po bisedohet me Serbinë, aq më shumë humbim territor dhe aq më tepër jofunksional po bëhet shteti ynë. Bisedimet pa kushte për Serbinë s’mund të jenë bisedime parimore dhe gjithsesi janë bisedime të dëmshme”-tha Kurti.

Kurti kërkoi që Kosova të largohet nga bisedimet me Serbinë dhe të ofrohet sa më shumë me Shqipërinë që një ditë edhe t’i bashkohet shtetit shqiptar.

 “Lëvizja VETËVENDOSJE! beson dhe punon për të kundërtën e kësaj: ne themi se me ndihmën e Shqipërisë Kosova do të mund të bëhej sovrane dhe nga pozita e një shteti sovran t’i bashkohej Shqipërisë mandej. Qeveria e Kosovës është e pashpresë në këtë pikë. Sepse, në vend të shtetndërtimit, Qeveria e Kosovës angazhohet veçse për pushtetmbajtje”-theksoi ai.

Albin Kurti kritikoi ashpër marrëveshjet e arritura me Serbinë. Ata që thanë se pavarësia dhe shpallja e saj ishte sui generis, shtoi Kurti, tashmë me këto bisedime po bëjnë sui generis për gjithcka që i nevojitet Serbisë në rrugën e saj drejt BE-së.

Bul Salihu

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›