E Diel, 1 Nëntor 2026

Vëzhgimi/Bamir Topi tejkalon planin e dekorimeve me 125.5%

20-07-2012 / Gazeta 55

Presidenti në detyrë Bamir Topi teksa numëron orët e fundit në detyrë, po e shfrytëzon kohën e mbetur në mënyrë racionale. Në këto ditë të fundit ai ka zhvilluar aktivitete tepër të rëndësishme me kryetar komunash në vendet fqinjë pa ulur aspak ritmin e dekorimeve në selinë e tij. Menjëherë pasi u kthye në vend, presidenti u mundua të kapë kohën e humbur në det me dekorime të reja në mënyrë që plani të ecte sipas parashikimeve me dinamikën e vet. Plani i dekorimeve jo vetëm është realizuar pa firo, por edhe është tejkaluar. Shumë shokë kanë marrë tashmë medaljen e presidentit në ikje dhe kanë bërë gati kapardisjen e rastit në aktivitetet tona.
Ky plan e ka ulur cilësinë e dekoratës në Shqipëri në atë pikë sa është më mirë të mos ta marrësh sesa ta kesh një të tillë. Që të meritosh një dekoratë përgjithësisht duhet të mos kesh meritë. Mekanizmi ka ecur shumë mirë nëpërmjet sektorit të qokave. Qokatari avitej pranë personit të kontaktit, bisedonte me të, e më pas kalohej në dekorim.
Kishte vite që nuk ishte ndjerë roli i sektorit të dekorimeve në Presidiumin e Kuvendit Popullor. Kjo praktikë mori fund tashmë gjatë drejtimit të shtetit shqiptar nga Bamir Topi. Dekorimet janë i vetmi sukses sasior i presidentit në largim.
Nga volumi i madh i punës, nga intensiteti i lartë i saj, tejkalimi i planit ka bërë që të ndjehet një mungesë e madhe medaljesh. Presidenti në detyrë ka llogaritur tejkalimin e planit duke i shpërndarë të gjitha dekoratat në kohë rekord.
Presidenti Topi do mbahet mend për shpërndarjen e medaljeve për emra të paimagjinueshëm. Standardi i tejkalimit të planit si standard kooperativist, gjeti zbatim të plotë nga presidenti që mbaroi mandatin tashmë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›