Vëzhguesit e ODIHR japin rekomandimet e para
Shqipëria ka kapacitete për zgjedhje të lira dhe transparente – perfeksioni është i pamundur edhe në SHBA
Ekipi vëzhgues afatgjatë ndërkombëtar i ODIHR-t nisi dje zyrtarisht misionin në Shqipëri, për të monitoruar zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Ekipi kryesohet nga ekspertja amerikane Conny McCormak që prezantoi në Tiranë, punën e misionit për monitorimin e zgjedhjeve në vendin tonë. Në një konferencë për mediat, ajo ka sqaruar se synim i punës është vëzhgimi bazuar mbi parimet e paanësisë, duke theksuar faktin se ata nuk janë arbitër të zgjedhjeve, por rekomandojnë një proces zgjedhor të lirë dhe transparent. “Ne do të bëjme vlerësim të kuadrit ligjor të amenduar, administrimin e zgjedhjeve, regjistrimin e votuesve dhe zbatimin e teknologjive të reja zgjedhore, mbulimin e medias dhe fushatën elektorale. Do qëndrojmë deri në mesin e korrikut për të ndjekur situatën paszgjedhore në vend dhe 5 javë pas përfundimit të zgjedhjeve do të publikohet raporti përfundimtar dhe në të do përfshihen rekomandimet. Është me shumë rëndësi që roli i ekipit të misoni ODIHR ka vetëm me vëzhgimin dhe rolin faktik dhe jo të ndërhyjë në rolin procesin zgjedhor. Ne nuk përcaktojmë zgjedhjet nëse janë legjitime apo jo, ne japim rekomandime”- tha ajo. ODIHR sqaroi se roli i arbitrit konsiston vetëm në një vlerësim të zgjedhjeve, por jo ndërhyrje në procesin zgjedhor. “Për t’ju referuar arbitrit të zgjedhjeve, roli ynë në Shqipëri është të bëjmë një vlerësim të zgjedhjeve, sipas standardeve kombëtare apo ndërkombëtare. Nëse janë zgjedhje shqiptare, është në dorë të shqiptarëve të përcaktojnë këto zgjedhje. ODIHR është ftuar në Shqipëri për të bërë misionin e vëzhguesit dhe do bëjë këtë rol. Pra ne siç e përmendi zonja McCormack, nuk ndërhyjmë më proces, por ofrojmë vlerësimin tonë për zgjedhjet dhe pastaj këtë informacion mund ta përdorin aktorët në Shqipëri dhe gjithë të interesuarit”- tha ajo.
ODIHR bëri me dije se ka kërkuar edhe 400 vëzhgues afatshkurtër, për të kontrolluar procesin e votimit dhe situatën paszgjedhore. Ekspertja McCormack tha se që nga viti 1996 ky është misioni i 11-të që ODIHR sjell në Shqipëri, ndërsa i fundit ishte ai që monitoroi zgjedhjet vendore. Ajo bëri të ditur se ekipi kryesor i misionit, që përbëhet nga 15 vëzhgues ndërkombëtarë do të qëndrojë në Tiranë dhe do të bëjë një vlerësim të kuadrit ligjor të amenduar, mënyrës se si do administrohen zgedhjet, regjistrimin e votuesve, zbatimin e teknologjive të reja zgjedhore, mbulimin që do të bëhet nga media të fushatës elekorale, etj. McCormack tha se javën e ardhshme do të vijnë vëzhguesit afatgjatë dhe 30 prej tyre, pas një trajnimi të shkurtër fillestar do të shpërndahen në të gjithë vendin. Sipas kryetares së misionit, ekipi i ODIHR do të nxjerrë një raport të ndërmjetëm pas tre javësh, ndërsa një ditë pas zgjedhjeve do të mbahet një konferencë për shtyp me gjetjet dhe konstatimet paraprake. Pas ditës së zgjedhjeve bërthama e ekipit do të qëndrojë në Shqipëri deri nga mesi i korrikut për të vëzhguar situatën paszgjedhore në vend, informoi McCormack. Ajo vuri në dukje gjithashtu, se vjen për herë të parë të provojë eksperiencën zgjedhore në Shqipëri. “Nuk jam e re me çështjet që kanë të bëjnë me vëzhgimin e zgjedhjeve, por jam e re me misionin në Shqipëri”. Ekipi i ODIHR-it kryesohet nga zonja McCormack e cila njihet për angazhimin mbi 25-vjeçar dhe ka spikatur në çështjen e regjistrimit dhe verifikimin e votuesve, përfaqësuesi i ekipit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, është parlamentari slloven Roberto Battelli. Ekipi i vëzhguesve të ODIHR-it dhe asamblesë parlamentare të OSBE-së përbëhet nga 15 ekspertë të cilët vijnë nga 14 shtete anëtare të OSBE-së, me seli në Tiranë, si dhe 30 vëzhgues afatgjatë, të shpërndarë në të gjitha rajonet. Ditën e zgjedhjeve ODIHR do të jetë në terren me mbi 430 vëzhgues.
Kryesuesja e vëzhguesve të ODIHR, McCormak: “Të ruhen standardet ndërkombëtare”/Kryesuesja e ekipit të ODIHR-it, znj. Conny McCormak u shpreh se gjatë karrierës së saj në ODIHR nuk ka parë askund të realizohen zgjedhje perfekte. “Zgjedhje perfekte ende nuk kam parë se zgjedhjet i bëjnë njerëzit dhe sa kohë ka elementë njerëzorë në këtë proces, ka tendenca gabimi. Gjëja më e rëndësishme është që procesi të jetë i hapur dhe transparent. Dhe fakti që duhen ruajtur standardet ndërkombëtare në këtë proces. Sigurisht ka dhe aspekte të tjera në këtë proces, fakti që janë ftuar vëzhgues ndërkombëtarë është një fillim shumë i mirë. Kam qenë e përfshirë në zgjedhje dhe në SHBA e vende të tjera dhe niveli i transparencës nuk është se ka qenë shumë i mirë”- tha ajo. Znj.McCormack s’ka pranuar të komentojë situatën në KQZ. “Nuk e komentojmë situatën në KQZ. Vërtet sapo kemi nisur nga puna dhe kam qenë dhe në vende ku KQZ është krijuar vetëm pak ditë para zgjedhjeve dhe kanë qenë komisione që janë mbushur me elementë kontraversë dhe për momentin nuk do bëjmë komente”- tha ajo.