E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ regjistron 5300 kandidatë, projekton fletën e votimit

28/05/2009  Në mbledhjen e sotme pritet miratimi i listave të 8 subjekteve të fundit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar deri dje listat shumemërore të 28 subjekte zgjedhore, nga 36 në total që kanë plotësuar kushtet për të marrë pjesë në garën e elektorale të 28 qershorit. Ndërkohë që në total janë miratuar 5300 kandidatë, duke parë se një forcë politike ka 140 kandidatë, ndërsa shpesh kryetari i partisë është kandidat në të gjithë qarqet. Vetëm dje pas depozitimit të dokumentacionit të korrigjuar nga subjektet zgjedhore ky institucioni miratoi listat për 14 subjekte, mes tyre PSD-ja e Skënder Gjinushit, PR-ja e Fatmir Mediut, “G-99” e Erion Veliajt dhe partia “Ligj dhe Drejtësi” e Spartak Ngjelës. Subjektet e fundit do të miratohen gjatë paradites së sotme, duke i hapur në këtë mënyrë rrugën edhe fletës së votimit. “Duhet të mbyllim çështjen e listave shumemërore, pasi duhet të ndryshojnë vendimin për miratimin e fletës së votimit. Meqenëse e kishim menduar se nuk do të shkonin më shumë se 25 parti, miratuam një model, por realiteti na detyron të ndryshojmë distancat mes subjekteve”, - tha kryetari i KQZ-së Arben Ristani. Në këtë mënyrë, në mbledhjen e pasdites, pas përfundimit të miratimit të listave të kandidatëve të të gjitha subjekteve, komisioni do të diskutojë projektvendimin lidhur me përmbajtjen e fletës së votimit, ku do të merret vendimi për renditjen e partive politike në të dhe mënyrën e vendosjes së tyre. Anëtarët e KQZ-së dhe përfaqësuesit politikë do të punojnë mbi 3 variante për fletën e votimit për të zgjedhur më të përshtatshmen. Ndërkohë pas miratimit të modelit të fletës së votimit KQZ-ja do të merret me procedurat e prodhimit të tyre. Mirëpo për këtë i duhet informacion mbi numrin e zgjedhësve, informacion që realisht i mungon, pasi krerët vendorë, që kanë detyrimin ligjor ta japin atë, nuk e kanë bërë. Për këtë çështje edhe dje Ristani ka shprehur shqetësimin përmes një njoftimi zyrtar për papërgjegjshmërinë e shfaqur nga një pjesë dërrmuese e drejtuesve vendorë, që sipas tij po vënë në rrezik procesin zgjedhor. “Mospërmbushja e detyrimit ligjor për dorëzimin brenda afateve të listës përfundimtare të zgjedhësve, përcaktimin e qendrave të votimit, numërtimit dhe vendndodhjes së tyre shkakton vonesa të rrezikshme për përgatitjen e bazës logjistike apo dhe materialeve të tjera zgjedhore. Këto detyrime të paplotësuara prej tyre po mbajnë të bllokuar edhe prodhimin e fletëve të votimit. I shqetësuar nga ky moszbatim i vazhdueshëm i kuadrit ligjor, KQZ-ja u bën apel të gjithë drejtuesve vendorë që brenda ditës së shtunë të përmbushin menjëherë këto detyrime”, - shprehet ai. Ristani paralajmëroi se ata do të përballen jo vetëm me masa administrative.

Subjektet zgjedhore

1. Partia Demokratike

2. Lëvizja Socialiste për Integrim

3. Lëvizja e Legalitetit

4. Partia “Mbrojtja e të Drejtave të Emigrantëve”

5. Partia e Gjelbër

6. Partia “Balli Kombëtar Demokrat”

7. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut

8. Partia “Bashkimi Liberaldemokrat”

9. Lëvizja për Zhvillim Kombëtar

10. Lidhja Demokristiane

11. Partia Konservatore

12. Partisë Socialiste

13. Partia “Aleanca Maqedonase për Integrim”

14. Partia “Demokracia Sociale”

15. Partia “Aleanca Demokratike”

16. Partia “Toleranca e Re”

17. “G-99”

18. Partia Socialdemokrate

19. Partia “Balli Kombëtar”

20. Partia “Ligj dhe Drejtësi”

21. Partia Republikane

22. Partia e Reformave Demokratike Shqiptare

23. Partia Socialiste e Vërtetë ’91

24. Partia “Forca Albania”

25. Partia e të Drejtave të Mohuara

26. Lëvizja për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut

27. Partia Aleanca e Re

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›