E Shtunë, 31 Tetor 2026

Video përgjimi caktohen gjyqtarët për kërkesën e Metës

TIRANE-Gjykata e Lartë pritet të marrë në shqyrtim kërkesën e ish-zv/kryeministrit Ilir Meta, për shpalljen të papërdorshme të video-përgjimit ku ai shfaqet së bashku me ish-vartësin e tij, Dritan Prifti. Gjykata supreme njoftoi dje se përmes shortit me gogla u përcaktua trupa e gjyqtarëve që do të gjykojnë çështjen e regjistruar në Gjykatën e Lartë, që i përket kërkuesit z.Ilir Meta me objekt: Shfuqizimin e vendimit të datës 08.03.2011 të Prokurorisë së Përgjithshme. Medi Bici është përcaktuar të jetë relator i kësaj çështjeje, ndërsa anëtarë të kolegjit do të jenë Adian Nuni, Aleksandër Muskaj, Gani Dizdari dhe Ardian Dvorani. Nëse Gjykata e Lartë do të pranojë kërkesën e ish-ministrit të Jashtëm, Meta, atëherë prokurorisë nuk i mbetet gjë tjetër veçse të firmosë për mbylljen e dosjes ndaj Ilir Metës. Ky i fundit po hetohet për korrupsion që pas publikimit të një videoje të regjistruar në zyrën e Dritan Priftit, kohë në të cilën ai mbante postin e ministrit të Ekonomisë. Gjithashtu, nën hetim për korrupsion është edhe deputeti Prifti.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›