Paniku nga 8 maji, Edvini fsheh fondet e buxhetit të Tiranës, i çon ato në destinacione fantazmë

UPDATE- Ajo që pritej ndodhi. Kryetari në ikje i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, po shpërndan fondet e buxhetit të bashkisë në zëra fantazmë, me destinacion primar kthimin e fondeve në paga dhe shpërblime për militantët e partisë dhe 99-shat e Erjon Veliajt. Kryebashkiaku refuzon të prezantojë në mënyrë të detajuar destinacionin e fondeve të parashikuara në projektbuxhet, ndërsa sipas të dhënave fondet po shpenzohen në një kohë kur Këshilli Bashkiak nuk është mbledhur për të nisur diskutimet lidhur me buxhetin, i cili është dhe instrumenti ekzekutiv për lëvrimin e fondeve. Por në prag të zgjedhjeve vendore të 8 majit, Edi Rama ka zgjidhur qesen duke bërë sikur po investon në kryeqytet, por në të vërtetë fondet po shpenzohen për paga dhe honorare të supëradministratës së bashkisë. Sipas anëtares demokrate Suzana Guxholli, Këshilli Bashkiak, autoriteti kompetent për të miratuar investimet e parashikuara, nuk ka nisur diskutimet e buxhetit, madje nuk është mbledhur fare për këtë vit. “Hezitimi i kryebashkiakut Rama për të paraqitur projektbuxhetin sipas zërave të veçantë ka vetëm një përgjigje: ‘abuzimin me paratë e taksapaguesve kryeqytetas’”- thotë Guxholli. Sipas saj, ka qenë i njëjti problem edhe për mosmiratimin e buxhetit për vitin 2010. Në një situate pa një buxhet për vitin 2010 dhe një plan apo projekt për miratim për vitin 2011 Bashkia e Tiranës operon me 1/12 e buxhetit të miratuar më parë, para’ këto që mbulojnë kryesisht pagat e administratës. Sipas ligjit për pushtetin vendor, 31 marsi është dhe afati i fundit për miratimin e buxhetit të këtij viti, por gjasat janë që këshilli bashkiak nuk do të mblidhet. Dështimi i miratimit të buxhetit të bashkisë pengon zhvillimin e qytetit për shkak të mos lëvrimit të fondeve, pasi asnjë projekt nuk mund të zbatohet pa u legjitimuar.
...