E Diel, 1 Nëntor 2026

Mblidhet grupi i PD, Berisha: Në këto zgjedhje “Aleanca për Qytetarin” shkon me sloganin “Të parët jeni Ju”

28-03-2011 / Gazeta 55

Parlamenti dhe Stadiumi i ri, projektet që do shndërrojnë Tiranën në një nga qytetet më moderne të rajonit gjatë mandatit të kryetarit të ri të Bashkisë


UPDATE- Kryeministri Sali Berisha foli sot në mbledhjen e grupit kuvendor demokrat për zgjedhjet vendore të 8 majit dhe sloganin me të cilin do prezantonet koalicioni i madh “Aleanca për Qytetarin”. Para ligjvënësve demokratë, Berisha përshëndeti grupet e punës së Partisë Demokratike për finalizimin në kohë të kandidaturave më të mira, edhe pse ka qenë një proces i vështirë nisur nga alternativat konstruktive që baza propozoi. “Përshëndes kryetarët e PD-së në rrethe, për shkallën e lartë të përgjegjëssë që kanë treguar në këtë process. Deputetët, drejtuesit e grupeve të punës që e kanë udhëhequr këtë proces me transparencë me vendosmëri, me tolerancë, me mirëkuptim dhe e vërteta është që, kurrë ndonjëherë ne nuk shkojmë drejt një procesi zgjedhor më konsensual dhe më të bashkuar se këtë rrallë. Kjo është një premisë e shkëlqyer për të marrë rezultatin që ne presim. Është bërë një punë e madhe, një punë e përgjegjshme dhe një punë e studiuar”- u shpreh kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë theksoi se kjo fushatë do jetë e gjitha për qytetarin dhe problemet e tij, ndaj për këtë duhet një slogan që i drejtohet pikërisht qytetarit. “Grupet e ekspertëve po punojnë prej kohësh për sloganin. Me sa duket slogani buron nga shpirti i programit për qytetarin, për qytetin, me qytetarin. Atëherë ky slogan do të jetë, “Të parët jeni Ju”. Ata janë të parët. Prandaj ne përqendrohemi bashkë me ta, për të gjithë problematikën e këtyre zgjedhjeve. Ky slogan pothuajse përfundimtar është “Ju jeni të parët”. Përsa i përket himnit diskutimet vazhdojnë. Fushata do të ketë dy himne, himinin ndërkombëtar, ku këtu diferencat janë reale dhe unë iu garantoj se nuk do ta vendos unë. Do të përpiqem të dëgjoj sa më shumë dhe të përpiqem që të fitojë më i miri, të vendoset më i miri. Përpjekjet janë për të gjetur himnin më të bukur ndërkombëtar, që t’i përshtatet plotësisht qytetarit. Urojmë dhe shpresojmë të zgjedhim më të bukurin. Duhet edhe një i fushatës. Edhe aty po bëhen përpjekje por do të konkludohet brenda 2-3 ditëve. Është element i rëndësishëm himni”- vuri në dukje kryeministri Berisha. Po ashtu shefi i ekzekutivit foli dhe për parlamentin e ri, konkursin e të cilit e cilësoi si të hapur dhe transparent. Duke iu referuar akuzave të opozitës për konkursin e zhvilluar për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar theksoi se përzgjedhja e studios fituese ishte transparente. Sipas tij, ishte juria ndërkombëtare ajo e cila ka përzgjedhur edhe studion austriake si fituese të konkursit. “Me kërë projekt ne hedhim themelet e Tiranës së këtij shekulli, e Tiranës që do të jetë një nga qytetet më moderne të rajonit”- theksoi Berisha.  Ndërkohë kryeministri Berisha bëri të ditur edhe emrin e stadiumit të ri kombëtar do të mbajë emrin stadiumi “Kuq e Zi” i cili do të inagurohet me rastin e 100- vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Kryeministri Berisha theksoi se ky është vetëm fillimi pasi projektet e kryetarit të ri të bashkisë së Tiranës do të kenë mbështetjen më të madhe të qeverisë në mënyrë që Tirana të kthehet në një simotër kulturore të kryeqyteteve të Europës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›