Video-përgjimi, mbyllet procedura e marrjes së dëshmitarëve
Ndërsa Gjykata e Lartë ka mbyllur procedurën e marrjes në pyetje të dëshmitarëve në procesin e video-përgjimit Meta-Prifti, midis debatesh është vijuar pjesa e diskutimit të provave të paraqitura nga organi i akuzës në proces. Këto prova të paraqitura nga prokuroria kanë tërhequr vëmendjen e avokatit të ish ministrit të jashtëm Ilir Meta, avokatit Gëzim Veleshnja, i cili ka kundërshtuar fort marrjen në konsideratë si provë materiale të orës në kamera, pasi sipas tij nuk vërtetohet që kjo orë të ketë gjurmë të videos. Po ashtu pjesë e debatit kanë qenë edhe identifikimi fizik i disa DVD të paraqitura si prova nga prokurori, pasi identifikimi i saktë i të dhënave të DVD ndodhej vetëm në fashikullin e dorëzuar gjykatës. Këto paqartësi bënë që gjykata të shtyjë diskutimin si dhe konsiderimin e provave materiale dhe shkresore për seancën e radhës. Më herët procesi nisi me marrjen në pyetje të 5 dëshmitarëve të fundit të thirrur nga organi i akuzës. Njëra prej dëshmive, hasi në kundërshtimin e pjesshëm të prokurorit Bujar Sheshi, pasi konkretisht dëshmitari Andi Dedja përfaqësues i tre kompanive koncesionare hungareze, në procesin e dëshmisë paraprake kishte deklaruar se nuk ka patur shpenzime në sipërmarrjet koncesionare, ndërsa në dëshminë dhënë ditën e hënë në gjykatën e lartë ai deklaroi se nuk ka informacion se sa është shpenzuar. Në seancën e ditës së hënë në procesin e gjyqit për video-përgjimin Meta-Prifti dëshmuan edhe përfaqësues të kompanive të tjera të përfshira në koncesionet e hidrocentraleve. Seanca e radhës do të vijojë në 16 dhjetor ndërsa në këtë seancë pritet ti jepet fund diskutimit të provave shkresore për ti hapur rrugën pretencës.