Arvizu: Ndëshkoni krimin në familje
Shtimi i rasteve të dhunës në familje ka sjellë reagimin e ashpër të ministrit të Brendshëm Bujar Nishani. Në një konferencë të organizuar nga Akademia e Policisë kreu i Ministrisë së Brendshme deklaroi se është e nevojshme një politike penale më e ashpër ndaj dhunës në familje, veçanërisht ndaj grave.
Nga ana e tij, i pranishëm në këtë aktivitet, ambasadori i SHBA Aleksandër Arvizu deklaroi se duhen marrë masa për ndihmë ndaj viktimave të dhunës në familje, një fenomen që sipas tij vijon të mbetet shqetësues.
“Kur gratë abuzohen, bizneset mbyllen, situata përkeqësohet dhe fëmijët rriten me sjellje që përvetësojnë cilësitë e dhunës. Për këtë arsye theksoj se është në interes të meshkujve që t`i japin fund dhunës kundër grave”-theksoi ai.
Rastet e shumta të dhunës në familje kanë sjellë edhe rritjen e angazhimit nga ana e policisë për marrjen e masave të cilat do të conin në minimizimin e këtij fenomeni. Mjaft të shpeshta kanë qenë edhe aktivitetet e shumta sensibilizuese, ndërsa pas deklaratës së ministrit Nishani mbetet vetëm të presim nëse do të ketë ashpërsim të masave ndaj këtij fenomeni mjaft të përhapur në shoqërinë shqiptare.