E Shtunë, 31 Tetor 2026

Video-përgjimi, sot pritet të diskutohen provat shkresore

Gjykata e Lartë pritet të zhvillojë sot seancën gjyqësore ndaj ish-Zv.kryeministrit Ilir Meta ku pritet t`i jepet fund diskutimit të provave shkresore për t`i hapur rrugë dhënies së pretencës nga prokuroria.
Gjykata e Lartë ka mbyllur procedurën e marrjes në pyetje të dëshmitarëve në procesin e video-përgjimit Meta-Prifti, ndërsa pjesa e diskutimit të provave të paraqitura nga prokuroria është kundërshtuar nga në seancën e kaluar nga mbrojtja.  Avokati Gëzim Veleshnja ka kundërshtuar marrjen në konsideratë si provë materiale të orës në kamera, pasi sipas tij nuk vërtetohet që kjo orë të ketë gjurmë të videos.  Po ashtu pjesë e debatit kanë qenë edhe identifikimi fizik i disa DVD të paraqitura si prova nga prokurori, pasi identifikimi i saktë i të dhënave të DVD ndodhej vetëm në fashikullin e dorëzuar gjykatës.
Në procesin e kaluar u morën në pyetje edhe 5 dëshmitarët e fundit të thirrur nga organi i akuzës. Njëra prej dëshmive, hasi në kundërshtimin e pjesshëm të prokurorit Bujar Sheshi, pasi konkretisht dëshmitari Andi Dedja përfaqësues i tre kompanive koncesionare hungareze, në procesin e dëshmisë paraprake kishte deklaruar se nuk ka patur shpenzime në sipërmarrjet koncesionare, ndërsa në dëshminë dhënë ditën e hënë në gjykatën e lartë ai deklaroi se nuk ka informacion se sa është shpenzuar.
Ilir Meta akuzohet për korrupsion në kohën kur ai kryente detyrën e zëvendës kryeministrit dhe ministrit të jashtëm, akuzë e ngritur në bazë të një video të regjistruar nga ish-ministri i ekonomisë Dritan Prifti.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›