E Shtunë, 31 Tetor 2026

Videokonferenca, Hilari Klinton "mbërrin" në Tiranë

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, "mbërriti" dje në Tiranë përmes një videokonference. Gjithçka ishte e organizuar nga përfaqësia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në kryeqytetin shqiptar. Një grup gazetarësh, studiuesish dhe lektorë universiteti morën pjesë në përcjelljen e videokonferencës me temë gjenerata e re në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Aktiviteti mbahej në Parlamentin Evropian, ku Klinton kreu vizitën e saj të parë në Evropë si sekretare e Shtetit. Paralelisht gjithçka transmetohej me videokonferencë në disa vende të ndryshme të botës. Klinton e vuri theksin te solidariteti mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, në drejtim të trajtimit të çështjeve të përbashkëta. Një veprim i tillë, sipas Klinton, do ta bëjë botën dhe të ardhmen më të sigurt. "Duhet të qëndrojmë bashkë për të përballuar sfidat me të cilat do të ndeshemi", theksoi Klinton. Sekretarja amerikane e Shtetit nënvizoi sakaq edhe njëherë qëndrimet e saj për një sërë çështjesh të ndjeshme në Evropë: konfliktin Palestinë-Izrael, marrëdhëniet me Rusinë, të drejtat dhe liritë e njeriut etj. Pas përfundimit të fjalës së sekretares së Shtetit, paneli zhvilloi një diskutim me funksionarët e ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Tematika e prekur në fjalimin e Klinton ishte në qendër të bashkëbisedimit të moderuar nga zëdhënësi i ambasadës, Bix Aliu. Të ftuar të veçantë ishin zëvendësshefi i misionit, Steve Cristina, dhe sekretari i parë i ambasadës, Paul Poletes. Me kënaqësi ata iu përgjigjën pyetjeve të të ftuarve, e që kishin të bënin me prioritetet e qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ballkan, si dhe ndikimi i saj në brezin e ri në Evropë. Një numër shumë i konsiderueshëm përfaqësish diplomatike amerikane në vendet e tjera ishin gjithashtu pjesë e videokonferencës me sekretaren Klinton.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›