E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha-Rama, replika në distancë për legalizimet

Kryeministri Sali Berisha dhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, u përfshinë dje në replika publike. Sipas Kryeministrit, "Tirana është shembulli i informalitetit, për shkak të kancerit të korrupsionit". Në këtë aspekt, theksoi kreu i qeverisë, Tirana është modeli më i shëmtuar, jo vetëm që nuk legalizohen shtesat e pallateve, por sot nuk dorëzohet plani urbanistik i kryeqytetit i financuar tërësisht nga Banka Botërore. I menjëhershëm ishte reagimi i Ramës, i cili u përqendrua kryesisht te skandali "Pango" dhe mungesa e një ndjese publike nga Kryeministri.

Berisha

Plani urbanistik, tha Berisha, "nuk dorëzohet se llokmat e tij duhet të ndahen në klane qartësisht të lidhura kokë e këmbë me kryetarin e bashkisë, i cili, vendosi këtu sistemin më të turpshëm të lejeve të ndërtimit". Për Berishën, kryetari i bashkisë, Edi Rama, po mban peng qytetin dhe Tiranën me planin urbanistik sikur ta kishte plaçkë personale dhe jo plan që ka të bëjë me jetën e çdo qytetari, me jetën e fëmijëve tanë. Rama, tha Kryeministri Berisha, ka frikë ta dorëzojë, sepse ka dhënë dhjetëra e dhjetëra hektarë tokë publike dhe s‘do të mundë të përdorë dot një centimetër. Këto deklarata, Kryeministri Berisha i ka bërë gjatë një aktiviteti të zhvilluar nga ALUIZNI, i cili ka shpërndarë lejet e para të legalizimeve për 5400 objekte që ndodhen në disa qarqe të vendit. Sipas ALUIZNI-t, deri më tani janë identifikuar 270 mijë objekte, që përbëjnë 70% të ndërtimeve informale në vend. Sipas tyre, këto dokumentacione janë bërë gati për 150 mijë objekte. Gjatë javës së ardhshme do t‘u jepet titulli i pronësisë rreth 6 mijë apartamenteve, dyqaneve dhe garazheve të ngritura në ndërtime me leje.

Rama

"Prisja sot që, pasi e shkarkoi me të drejtë ministrin e Kulturës, Kryeministri i Shqipërisë të bënte ndjesën e tij përpara opinionit publik, për goditjen e rëndë që mori shteti shqiptar, për shkak të një anëtari të kabinetit qeveritar. Por, Sali Berisha sot doli vetëm për të derdhur një tjetër sasi balte mbi Bashkinë e Tiranës e mbi mua", tha Rama. Prisja sot që Kryeministri i Shqipërisë të bënte ndjesën e tij përpara qytetarëve të këtij vendi për shfaqjen brutale të një fenomeni, nënvizoi ai, që nuk ka të bëjë thjesht me një episod të neveritshëm të shpërdorimit të detyrës, por me shpërdorimin ekstrem të besimit të publikut te shteti dhe te ligjet e shtetit. "Nga një pushtet që i ka vënë minat administratës publike, duke i kthyer rekrutimet dhe emërimet në administratë në një sistem klientelizmi partiak, korrupsioni mbytës e abuzimi konstant me ligjin e shërbimit civil", u shpreh Rama. Sa për akuzat dhe shpifjet e sotme e të nesërme ndaj Bashkisë së Tiranës e meje personalisht, theksoi Rama, Sali Berisha do ta marrë përgjigjen jo nga unë, por nga qytetarët e qytetaret e Tiranës e të të gjithë Shqipërisë më 28 qershor, kur Shqipëria do të mbyllë kontratën me të e me Partinë Demokratike dhe do të lidhë një kontratë të re për një rrugë të re, me koalicionin e bashkimit të ri për ndryshim.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›