E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, PD i merr PS katër deputetë

 

VLORE/ QEMAL BIRAKU

Maratona e gjatë e numërimit të votave në Qarkun e Vlorës përfundoi mbrëmë rreth orës 19:00, duke i dhënë Partisë Socialiste 6 mandate, ndërsa PD 4 të tilla. Ky rezultat është cilësuar si sukses nga ana e demokratëve, të cilët në koalicion me PDI siguruan dhe deputetin e pestë, ndërsa koalicioni i majtë, 7 të tillë, pas fitores së një mandati nga PBDNJ. Një tjetër risi në këto zgjedhje për Qarkun e Vlorës është fakti se edhe komuniteti çam do të ketë përfaqësuesin e tij në Parlamentin shqiptar. Deputetët në parlamentin e ri për koalicionin bashkimi për ndryshim janë: Për PS-në, Arben Malaj, Arben Isaraj, Luiza Xhuvani, Shpëtim Idrizi dhe Fatmir Toçi, ndërsa për PPDNJ–në Vangjel Dule, i cili mori edhe shumicën e votave të Himarës. Ndërsa për aleancën e ndryshimit, deputetët e ardhshëm janë: Astrit Patozi, Ardian Kollozi, Leonard Demi dhe Kreshnik Cipi, ndërsa për PDI-në do jetë në parlament biznesmeni Dashamir Tahiri. Në bazë përqindjeje, PS-ja mori 44.57 % të votave, PD-ja 28.12 %, PPDNJ 5.52 %, PDI 4.61 % dhe LSI 3.5%. Duhet theksuar që në Qarkun e Vlorës procesi i votimeve dhe më pas i numërimeve ka vijuar pa incidente, veçse disa mosmarrëveshjeve të vogla ndërmjet komisionerëve, të cilat më pas kanë gjetur një zgjidhje me konsensus. Një ndër këto konflikte të komisionerëve u shënua në KZAZ nr. 61. Procesi u ndërpre dje rreth orës 09:15, kur kishin mbetur ende pa u numëruar edhe 6 kuti votimi nga 86 kuti gjithsej. Kjo për shkak se komisionerët e djathtë pretenduan se në këto kuti kishte fletë të pavlefshme dhe vula të dëmtuara. Ata kërkuan që të mos numëroheshin ato, ndërsa PS-ja dhe përfaqësuesit e LSI–së këmbëngulën në idenë e numërimit, pasi sipas tyre në këto kuti kishte edhe fletë të vlefshme. Mbas shumë debatesh procesi u pezullua derisa KQZ-ja vendosi numërimin e votave. Mbas rifillimit të procesit, një kuti doli e pavlefshme, ndërsa të tjerat u numëruan. Gjithsesi, numërimi i pesë kutive të fundit nuk është se solli ndonjë ndryshim në rezultat. Gjithashtu, në fund nuk pati asnjë kontestim të rezultatit, i cili ishte i pritshëm nga të gjitha palët. Në Bashkinë e Vlorës, në zgjedhjet e përgjithshme të së dielës funksionuan 86 qendra votimi. Ndërsa në rang qarku funksionuan 345 qendra votimi. Gjatë gjithë procesit të numërimit, atmosfera në Vlorë ka qenë festive nga ana e simpatizantëve të së majtës. Ndërsa në Sarandë, procesi i numërimit përfundoi që të hënën ku në rang bashkie, por edhe në Delvinë dhe Ksamil fituese doli Partia Socialiste. 

qarku vlore

Aleanca e Ndryshimit

PD    30251 vota
PR    1222 vota
PAA    940 vota   
PDI    4932 vota    PAD    240 vota   
BLD    61 vota
PLL    200 vota
AMIE    10 vota   
PADS    27 vota
PBK    835 vota

Bashkimi per Ndryshim

PS    47284 vota
PSD    2677 vota
PDS    1186 vota   
PBDNJ     6068 vota    G99    979 vota

Aleanca Soc. për Integrim

LSI    3810 vota
PSV 1027 vota

Numri i zgjedhësve 109.033

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›