E Diel, 1 Nëntor 2026

Vidhen sërish tri makina në kryeqytet

Vjedhja e makinave ka vijuar sërish në Tiranë, ku paraditen e
djeshme janë regjistruar tri kallëzime të tjera. Burimet zyrtare
nga Drejtoria e Policisë së Tiranës bënë të ditur se në seksionin e
vjedhjes së mjeteve, në orën 09.00, ka bërë kallëzim Bardhyl Hoxhaj,
28 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në rrugën "Xhezmi Delli",
se gjatë natës i kanë vjedhur automjetin tip "Benz 200", ngjyrë e
bardhë, me targa TR 3472 H, parkuar në adresën e mësipërme.
Ndërkaq, në orën 11.00 ka ardhur një tjetër denoncim për makinë
të vjedhur. Pikërisht në seksionin e lartpërmendur ka bërë kallëzim
Përparim Nikoçi, 28 vjeç, banues në rrugën "Irfan Tomini", se gjatë
natës i kanë vjedhur automjetin tip "Benz 200", ngjyrë gri, me targa
TR 4861 F, parkuar në adresën e mësipërme. Gjithashtu, kallëzim
ka bërë edhe Ylli Doda, 27 vjeç, banues në rrugën "Jordan Misja", se
gjatë natës i kanë vjedhur automjetin tip "Benz 200", ngjyrë e zezë,
me targa DR 2093 D. Policia tha se vetëm dy ditë më parë u denoncuan
edhe tre "Benz"-a të tjera të vjedhur, duke u kthyer ky fenomen
një gangrenë për uniformat blu. Sipas policisë, edhe në këto raste,
u kryen veprimet procedurale dhe po punohet për identifikimin
dhe kapjen e autorëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›