Vidhet kablli i energjisë elektrike, Roskoveci pa drita e ujë
FIER - Pas Zvërnecit në Vlorë, tashmë edhe Bashkia Roskovec e ka ndier efektin e vjedhjes së kabllit të energjisë elektrike. Që prej së dielës mijëra qytetarë kanë mbetur jo vetëm pa energji, por edhe pa ujë. Kryetari i Bashkisë Roskovec, Ylli Kola, e shpjegon këtë situatë me vjedhjen e 1100 metrave tel të tensionit të lartë 10 kilovolt.
Mësohet se personat deri tani të paidentifikuar për qëllime përfitimi kanë filluar vjedhjen e telave qysh në hyrje të nënstacionit kryesor të Roskovecit. Fillimisht është bërë prerja në hyrje të këtij nënstacioni dhe më pas persona (që mund të kenë qenë më shumë se tre) kanë vijuar në çdo shtyllë prerjen e telave derisa kanë arritur në kilometrin e dytë.
Sipas kryetarit të bashkisë, aty ka pasur edhe një punonjës të shërbimit elektrik që nuk e ka kuptuar që linja 10 kilovolt që furnizonte një pjesë të madhe të Roskovecit, nuk funksiononte. Gjithsesi, Roskoveci prej 48 orësh është pa energji.
Askush nuk po kujtohet të vërë dorë mbi këtë situatë të rënduar. Kryetari Kola shprehet se ka trokitur në të gjitha dyert e institucioneve. Vetë prefekti i Fierit mësohet se është munduar të lidhet në orët e drekës së ditës së djeshme me drejtorin e OSSH-së, por nuk i është përgjigjur njeri.
Dhe duket se energjia elektrike në Roskovec do të mungojë edhe në ditët në vijim pasi për të riparuar këtë defekt dhe gjetja e materialit për të tillë linjë është e vështirë, çka do të thotë që edhe ditë të tjera roskovecarëve u duhet të rrinë pa drita e pa ujë.