Trafiku i makinave, katër persona nën akuzë
TIRANË
Katër persona do të hetohen në gjendje të lirë për akuzën e trafikimit të mjeteve motorike, pas një operacioni të Policisë së kryeqytetit, që u mbyll me sekuestrimin e katër automjeteve që dyshohet të jenë vjedhur në disa shtete të Europës.
Burime nga Policia e kryeqytetit bënë të ditur dje se nga specialistët e zyrës së trafiqeve, kryen veprimet procedurale ndaj automjetit tip "Benz" me targë DR 3802 E, i cili u bllokua në sheshin Ëilson, drejtuar nga 23- vjeçari me inicialet A. T. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky automjet është vjedhur në Gjermani më datë 4 shtator 2003.
Gjithashtu edhe automjeti tip "BMË", me targa të huaja B YY 730, drejtuar nga F. M, 26 vjeç është bllokuar gjatë ditës së djeshme në bulevardin "Bajram Curri", ku pas verifikimit të dokumentacionit ka rezultuar se automjeti i bllokuar është vjedhur në Zvicër më datë 18 shtator 2006.
Po dje në kryeqytet, specialistët e trafiqeve në Policinë e Tiranës, bllokuan dhe dy makina të tjera përkatësisht në bulevardin "Bajram Curri" dhe në rrugën "Frederik Shiroka", që dyshohet se janë trafikuar njëra nga Italia tjetra nga Gjermani.
Mjeti tip "BMË" me targa BM 498 HZ, drejtuar nga drejtuar nga 35- vjeçari B. M, dyshohet se është vjedhur në shtetin fqinj, në Itali më datë 2 gusht 2009, ndërsa automjeti tjetër tip "Audi" me targa TR 73 15 L, me drejtues 36- vjeçarin me iniciale A. L, rezulton se është vjedhur në Gjermani më datë 17 maj 2005. Policia e kryeqytetit bën të ditur se ndaj katër drejtuesve të makinave të sekuestruara do të vazhdojnë hetimet në gjendje të lirë për akuzën e "trafikimit të mjeteve motorike"
Vendimi
Dënohen 21 vite burg tre "trafikantët" e drogës
TIRANE- Tre persona të akuzuar për trafik të lëndëve narkotike u dënuan dje nga Gjykata e Krimeve të Rënda në kryeqytet me 21 vite burg në total. Aleksandër Kapaj, u dënua me 7 vite e katër muaj burg, ndërsa Blendard Grembi dhe Përparim Llanaj, të cilësuar si bashkëpunëtorë të Kapajt, u dënuan nga Krimet e Rënda me nga 6 vite e tetë muaj burg secili. Vendimi u dha dje nga trupa gjykuese e Krimeve të Rënda, e cila pas disa muajsh hetim gjyqësor të dosjes së dërguar nga prokruroria vendosën dënimin e të akuzuarve me masat përkatëse.
Të tre personat e mësipërm u arrestuan gjatë operacionit "Taksisti" të kryer gjatë muajit tetor të vitit 2008, kur të tre ata u kapën përkatësisht me 2.5 kile heroinë si dhe 1.5 kile kokainë. Lënda narkotike ishte marrë në Tiranë, ndërsa iu është dhënë Grembit dhe Llanajt, për ta trafikuar në drejtim të Greqisë. Gjatë një kontrolli në dukje rutinë të uniformave blu në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, policia bllokoi mjetin në të cilin ndodhej droga si dhe arrestoi Blendar Grembin.
Dy personat e tjerë, Përparim Llanaj, si dhe Aleksandër Kapaj, ky i fundit i cilësuar si drejtuesi i rrjetit, u kapën nga policia në një operacion të dytë të zhvilluar në muajin dhjetor të vitit të kaluar. Si provë, veç drogës së bllokuar në flagrancë, gjatë hetimit, policia dhe prokuroria kanë siguruar edhe përgjime telefonike të të akuzuarve të cilat më pas i janë vënë në dispozicion gjykatës. Kjo e fundit, pas disa muajsh shqyrtimi gjyqësor të dosjes, vendosi dënimin e tyre me një masë totale prej 21 vitesh burg.