Tenton të kalojë trafikndarësin, vdes 21-vjeçarja
LUSHNJË - Një e vdekur dhe dy të plagosur ka qenë bilanci i dy aksidenteve të shënuara në orët e vona të mbrëmjes së datës 26 - 27 korrik duke u gdhirë dita e hënë. Sipas policisë rrugore të Lushnjës ngjarjet kanë ndodhur në aksin Lushnjë-Rrugozhinë. Aksidenti i parë është regjistruar rreth orës 19:30 të së dielës kur automjeti i drejtuar nga Zenun Feti, 37 vjeç, banor i fshatit Thanasaj të Lushnjës, është përplasur me një karrocë.
Si rrjedhojë ka mbetur i plagosur drejtuesi i karrocës, si dhe djali i tij 24-vjeçar. Për këtë policia ka vënë në pranga drejtuesit e automjetit tip "Volksvagen" me targë LU 3617 B. Gjithashtu po të dielën, vetëm pas gati një ore, po në këtë aks, pranë fshatit Dushk, një automjet tip "Tojota" me targë TR 9002 P ka aksidentuar për vdekje 21-vjeçaren Zamira M., banore e këtij fshati. Sipas policisë, viktima po tentonte të kalonte trafikndarësin në momentin që është goditur nga automjeti. Në pranga është vënë Hasan Zaçe, 47 vjeç, drejtues i automjetit nën akuzën e "shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.