E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si do të ndërhyhet për të mënjanuar përmbytjet

Ja harta e projekteve dhe shumës se sa kushtojnë ndërhyrjet, për të mos pas sërish përmbytje në zonën e Shkodrës

SHKODËR Përmbytjet e vitit të kaluar në zonën e Shkodrës kanë shtruar domosdoshmërinë e investimeve të shumta, që do të parandalojnë apo minimizojnë përsëritjen e mundshme të situatave të tilla. Ulja e rrezikut në rast fatkeqësish natyrore, siç janë përmbytjet, ka qenë në qendër të një takimi të zhvilluar nga zyra e Qendrës Rajonale të Mjedisit (REC) në Shkodër, me punonjës e drejtues të komunave që janë prekur nga përmbytjet. Prof. Dr. Mahir Hoti, specialist mjedisi, shprehet se qëllimi është thithja e projekteve për të cilat REC do të mund të ndihmojë me aktivitete konkrete, që synojnë reduktimin e pasojave të përmbytjeve. Sipas drejtorit të bordit të kullimit në Shkodër, Rudolf Rasha, viti 2011, do jetë viti i luftës kundër përmbytjeve në Shkodër. Qeveria shqiptare ka akorduar 200 milionë lekë për rikonstruksionin e kanalit të Shtodrit, nga rezervuari në komunën e Postribës, e deri në fshatin Hysaj të komunës Gruemirë në Malësi të Madhe. Kjo do përmirësojë ndjeshëm sistemin ujitës për komunat Rrethina e Postribë në Shkodër, Gruemirë dhe disa fshatra të Koplikut në Malësi të Madhe. Sipas Rashës. kjo do kapë vlerën e 110 milionë lekëve, ndërsa pjesa tjetër prej 90 milionë lekë do jetë vazhdim i projektit për rikonstruksionin përfundimtar të argjinaturës së Lumit Kir, faza e parë e të cilit ka përfunduar. Qeveria shqiptare, në bashkëpunim me Bankën Botërore, ka hartuar planin antipërmbytje për Nënshkodrën. “Akoma nuk kemi ndonjë përgjigje përfundimtare dhe këto ditë presim të marrim përgjigje se çfarë do bëhet, por propozimet tona për Bankën Botërore që është donatori, përfshijnë ndërtimin e një prite 1 km në Dajç, e cila mbron fshatin Dajç, me vlerë 80 milionë lekë, ndërtimin e argjinaturës në fshatin Shirq, e cila ka krijuar shumë probleme për rreth 80 shtëpi, në të gjitha përmbytjet e vitit të kaluar dhe që ka një vlerë 20 milionë lekë, fillimin e ndërtimit të argjinaturës së Dajçit, 13 km e gjatë, ku këtë vit nuk do jetë e mundur të bëhen më shumë se 9km dhe që ka një vlerë 820-830 milionë lekë. Në qoftë se gjatë tenderimeve do jetë e mundur të kursehen vlera monetare, ato do shkojnë për argjinaturën e Vilunit, ku do përfundojnë të gjitha ujërat e poshtme të Shkodrës, investim ky që shkon rreth 60 milionë lekë”, ka theksuar Rasha.

Djana Kolaj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›