E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vidhet natën instituti biblik

Vidhen zyrat e Institutit Biblik Shqiptar në Durrës. Lajmi është konfirmuar nga zyrtarët e policisë të Durrësit, të cilët kanë konstatuar se autorët kanë hyrë në ambientet e brendshme të këtyre zyrave nëpërmjet dritares. Ata kanë shqyer skarën e hekurt të dritares dhe më pas janë futur në zyrën e drejtorit të institutit, që ndodhet në Lagjen 18 të qytetit bregdetar. Në këtë zyrë gjendej edhe kasaforta në të cilën mbaheshin lekët. Prej saj kanë arritur të marrin një sasi prej 200000 lekësh dhe 110 euro. I pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen, shtetasi amerikan, Tames Brodlei, 47 vjeç, me detyrë drejtor i këtij instituti, deklaron se vjedhjen e lekëve e ka konstatuar mëngjesin e djeshëm rreth orës 06:00, kur ka shkuar dhe ka hapur zyrën. Policia deklaroi se po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa kanë nisur hetimet për veprën penale të vjedhjes edhe nga Prokuroria e Durrësit.

Va.Qy.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›