“Frika nga epidemia, masat që duhen marrë në shkolla”
zirina llambro
Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor shtohet alarmi për përhapjen e gripit të derrave. Kjo pasi ambientet kolektive favorizojnë përhapjen e virusit. Madje risqet për një epidemi janë gjithnjë e më të mëdha. Por cilat janë masat që duhet të marrë stafi pedagogjik e drejtuesit e shkollave për të parandaluar një situatë emergjente? Në një intervistë për gazetën “Panorama”, specialisti i Institutit të Shëndetit Publik Dritan Ulqinaku tregon masat që duhen marrë.
Aktualisht situata e gripit të derrave në vendin tonë është nën kontroll, por me afrimin e stinës së vjeshtës pritet një valë e re e përhapjes së tij. Veç kësaj jemi në prag të nisjes së vitit shkollor e akademik a e shton kjo riskun për ndonjë epidemi?
Në Prill të këtij viti, virusi i gripit A H1N1, njëkohësisht dhe i njohur si gripi i derrit, filloi të qarkullojë në Amerikën e Veriut. Me ardhjen e studentëve nga pushimet e prillit, disa prej të cilëve pushimet e tyre i kishin bërë në Meksikë, që njihet si vendi i origjinës së këtij gripi, shpërthime të shumta filluan të shfaqeshin në shumë shkolla në të gjithë Amerikën.
Autoritetet shëndetësore meksikane dhe amerikane mbyllën disa nga kqto shkolla për të bërë të mundur frenimin e përhapjes se virusit, por edhe për të dezinfektuar ndërtesat e shkollës.
Ndërsa shihnim pamjet filmike në atë kohë nuk e mendonim se do të vinte një ditë kur ky virus do të ishte prezent në vendin tonë. Aktualisht kemi 20 raste të konfirmuara nga të cilat kemi dhe raste të moshës pediatrike. Pra, na duhet dhe ne të mendojmë për atë se çfarë duhet të bëjmë për ta përballuar përhapjen e shpejtë të virusit të gripit të derrave në vendin tonë, ku shkollat padiskutim, që kanë një rëndësi të dorës së parë.
Duke marrë në konsideratë këto rrethana (prania tashmë e virusit në disa rrethe të vendit, afrimi i stinës së dimrit, stinë e cila favorizon përhapjen e infeksionit, si dhe fakti se mbas pak ditësh shkollat do të hapen në mbarë vendin) mendoj se të përballuarit me situatë të tillë kërkon një angazhim shumë të madhe dhe shumë sektorial.
Mjafton vetëm vigjilenca e bluzave të bardha?
Padiskutim që jo. Nuk duhet dhe nuk mund të jenë vetëm mjekët, si në spital, qendra shëndetësore apo dhe personeli i shkollave në të gjithë vendin në vigjilencë për të “pikasur” virusin, por edhe nga vetë mësuesit, të cilët kalojnë shumë orë me nxënësit e tyre dhe praktikisht janë këta “dyshuesit e parë” për një fëmijë, i cili mund të jetë i infektuar nga gripi i derrit. Duhet që mësuesit të jenë të vëmendshëm nëse një student apo nxënës ka ndryshime të sjelljes apo të pamjes së jashtme, duke bërë të mundur që sëmundja të kapet që në orët e para, gjë që është shumë e rëndësishme si për vetë nxënësin (ecurinë e sëmundjes, fillimin e trajtimit) ashtu dhe për të tjerët që e rrethojnë. Në këtë mënyrë krijohet mundësia për një vizitë sa më të hershme tek mjeku, por edhe bën të mundur ta frenojë një njëfarë mase transmetimin tek shokët e tjerë të klasës.
Të njëjtat këshilla duhet të jenë edhe tek shkollat, të cilat kanë konvikte apo edhe tek shkollat private në të cilat fëmijët mund të konsumojnë mëngjesin apo drekën.
Ndaj cilave shenja duhet të jenë të kujdesshëm mësuesit?
Janë një sërë shenjash. Së pari, ngjyra e lëkurës. Një fëmijë më ngjyre lëkure si të zverdhur mund të jetë një tregues për një fillim sëmundjeje, ashtu si mund të jetë dhe një ngjyrë e skuqur e fytyrës së nxënësit, që mund të jetë si rezultat i një temperature që mund të ketë fëmija. Sytë, gjithashtu mund të tregojnë shumë. Nga sytë një nxënës mund të dallohet nëse është i lodhur apo jo, edhe në rast se sytë janë si të skuqur përsëri duhet të tregohet vëmendje. Temperatura është një tjetër tregues i një situate jo normale, kuptohet që mësuesit nuk mund t’ju venë termometrin çdo fëmije, por nga njëherë mjafton një prekje e fëmijës në ballë ose në dorë për të kuptuar se ai fëmijë ka temperaturë. Përpos këtyre edhe ndryshimet e sjelljes si përgjumja e nxënësve, irritimi ose mungesa e energjisë (nxënësi thotë që jam si i lodhur) është një tregues që diçka nuk shkon siç duhet. Mungesa e oreksit është një tjetër tregues që nuk duhet nënvlerësuar.
Veç evidentimit të shenjave që mund të tregojnë për një prekje të mundshme nga gripi i derrave, a duhet që mësuesit t’i këshillojnë nxënësit për parandalimin e virusit?
Ky është një rol shumë i rëndësishëm dhe i domosdoshëm. Mësuesit duhet të jenë të kujdesshëm, por edhe t’i rekomandojnë vazhdimisht fëmijët për larjen e shpeshtë të duarve, si dhe për përdorimin e shamive si një nga mjetet më efikase për reduktimin e përhapjes se infeksionit në shkollë. Drejtuesit e shkollës duhet të kenë një listë me të gjithë numrat e kontaktit si të vetë mësuesve, por edhe të personelit shëndetësor të shkollës si dhe pse jo të së gjithë prindërve të nxënësve të shkollës. Nga ana tjetër vetë prindërit duhet të kenë parasysh disa këshilla nëse fëmija i tyre sëmuret, kështu është e domosdoshme që në një rast të tillë duhet ta mbajnë fëmijën në shtëpi deri sa doktori ta gjykojë si të nevojshme, nganjëherë dhe në disa raste për disa prindër, të cilët janë në punë mund të mos jetë e lehtë dhe në rastin e parë që shohin se fëmija ka filluar të përmirësohet synojnë ta çojnë në shkollë, por duhet ta dinë se në këtë mënyrë rrezikojnë shëndetin e fëmijës së tyre, por dhe përhapin infeksionin tek fëmijët e tjerë.
Konviktet mbeten një “vatër” e mundshme e sëmundjes, cilat janë masat që duhet të marrin studentët?
Studentet që rrinë në konvikte duhet të jenë shumë të kujdesshëm në lidhje me sendet e tyre personale, të mos i ndajnë me të tjerët duke filluar që tek luga, piruni dhe deri tek peshqirët, furçat e dhëmbëve apo dhe krevati. Edhe dhoma e një fëmije me grip duhet të mbahet sa më pastër, – p.sh., dyshemeja duhet të lahet disa herë në ditë me dezinfektuesit e zakonshëm.