Vidhet për skrap fari i limanit të Bunecit
Zhduket fari i limanit të Bunecit. Kulla me dritë, që u tregonte rrugën mjeteve lundruese, dyshohet se ka përfunduar në tregun e skrapit. Mëngjesi i djeshëm e ka gjetur molin e ankorimit të anijeve në gjirin e Bunecit pa farin e tij shumëvjeçar.
Kanë qenë pronarët e lokaleve që po përgatiten për sezonin turistik, ata që kanë pikasur zhdukjen brenda natës të objektit disa metra të lartë. Ata kanë njoftuar menjëherë Kapitanerinë e Portit në Sarandë e këta të fundit komisariatin e policisë së qytetit bregdetar.
Grabitja e pabesueshme e farit ka habitur po kaq edhe banorët e fshatit Piqeras, që e kishin atë përballë dhe e shihnin nga dritaret e shtëpive ditën dhe natën. Ata nuk kishin pikasur ndonjë lëvizje të dyshimtë apo person që të qëndronte pranë farit.
Mendohet se fari, që ishte jo më pak se 6 metra i lartë, është zhdukur brenda natës. Në sipërfaqen e betontë të molit është parë se ai është prerë me sharrë elektrike, duke qenë se gjerësia e limanit lejon edhe hyrjen e automjeteve mbi bankinë. Mendohet se ai është transportuar menjëherë pas prerjes dhe ka përfunduar në tregun e skrapit.
Ekspertë të sektorit të krimeve në Sarandë dyshojnë se grabitja është kryer nga një grup personash, që në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë mundur të realizojnë skenarin e shkuljes së farit, duke përdorur mjete speciale e deri dhe automjete të tonazhit të madh, me të cilat kanë bërë transportimin gjithashtu gjatë natës.
Koha e gjatë që ka kaluar nga shkulja deri në konstatimin e mungesës së farit, sipas tyre, vështirëson punën për identifikimin e autorëve dhe të vendit ku mund të jetë bërë shitja e metalit për skrap. Megjithëkëtë, mësohet se hetimet për zbardhjen e grabitjes së habitshme janë shtrirë në të gjithë zonën, për të mundësuar bllokimin e shitjes, nëse ajo nuk ka ndodhur dhe rivendosjen e farit në vendin ku ka qenë për të paktën 60 vjet, duke u shërbyer detarëve dhe peshkatarëve të kësaj zone.
Shkulja e farit të Bunecit është grabitja e dytë e çuditshme në Sarandë, pas asaj që gjithashtu të kujton shprehjen e futjes së minares në thes. I njëjti motiv që mendohet të jetë nxitës edhe për grabitjen e farit të Bunecit, bëri që në 4 tetorin e vitit të kaluar të shkulej një shtyllë e tensionit të lartë 10 kilovolt dhe 10 metra e lartë, në afërsi të fshatit çukë, të tërhiqej zvarrë ajo nëpër natë e të shitej për skrap kundrejt 250 mijë lekëve të vjetra. Ashtu siç u arrit në zbulimin e atij rasti të rrallë, ekspertët kriminalistë kanë organizuar punën që shumë shpejt të identifikohen edhe autorët e “grabitjes” së farit të Bunecit.
Hajdutët e skrapit kanë bërë të tjera vjedhje të pabesueshme në gjithë territorin e Shqipërisë, duke filluar që nga zhdukja e kilometrave të tërë të shinave hekurudhore, prerja e këmbëve të urave, rrëmbimi i kullave të puseve të naftës, e deri te vjedhja e monumenteve të bronzta të vendosura në ambiente publike. Ngjarje të tilla shpeshtohen sa herë në bursat ndërkombëtare ka rritje të çmimeve të metaleve, siç ka ndodhur edhe së fundmi me rastin e farit të Bunecit.
#